Startoi sot edicioni XII i konkursit “Zërat e rinj”. Aktiviteti i organizuar nga Qendra Kulturore e Fëmijëve përfshiu 20 shkolla publike dhe jo publike të bashkisë Durrës dhe 107 nxënës pjesëmarrës, të cilët garojnë mes tyre për të përzgjedhur vokalin më të mirë për këtë vit.

“Kjo është faza e parë e konkursit, ndërsa fazën përgatitore nxënësit e kanë kryer pranë shkollave respektive me mësuesit e Edukimit Muzikor. Komisioni do të vlerësojë nxënësit finalistë, të cilët do të kalojnë edhe në një fazë tjetër përzgjedhëse, më pas në fazën finale”,- tha Arian Plaku, përgjegjësi i sektorit të artit pranë QKF Durrës.

Në dy vitet e kaluar, nga ky konkurs kanë dalë dy emra mjaft të njohur të skenës shqiptare, të cilat kanë përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision junior, si Viola Gjyzeli dhe Kejtlin Gjata. Kryetarja e jurisë, Olta Juba, shpjegon se këtë vit rregullorja e konkursit ka pësuar disa ndryshime.

“Nuk kemi lejuar që të konkurojnë këngëtarë që kanë qenë pjesë e festivaleve apo fitues të konkurseve të mëparshme për t’i dhënë mundësinë zërave të rinj, siç është edhe misioni i këtij kompeticioni. Shpresojmë që edhe këtë vit të nxjerrim një fitues, që do të na bëjë krenarë”.

Nxënësit që do të rrëmbejnë çmimet e para të këtij konkursi do të përfitojnë një këngë falas, me të cilët do të mund të garojnë në festivalin e fundvitit “Tingujt e Adriatikut”.

M.B.