Nuk ka mbushur ende një vit jetë, por studio e kërcimit dhe zumbës “Gledance” është ndër më të njohurat në qytetin e Durrësit.

Pasioni për kërcimin e ka shoqëruar që në moshë të vogël, dhe tashmë që është profesioniste në këtë fushë Gledis Lila përkushtohet çdo ditë për t’iu përcjellë vogëlushëve të njëjtën dashuri për këtë disiplinë.

Në një vit aktivitet, vështirësitë kanë qenë të shumta, por ajo është e kënaqur me arritjet. Ka preferuar të punojë me grupe të vogla, në mënyrë që çdo fëmije apo të rrituri t’i dedikojë gjithë kohën e nevojshme.

“Është mëse normale të jetë kjo përzgjedhje sepse normalisht mësimi nuk transmetohet njësoj kur janë 30 fëmijë në një grup dhe kur janë 15 fëmijë në një grup. Leksioni merret në mënyrën e duhur dhe fëmijës i jepet vëmendja e duhur. Kjo ka qenë një punë e lodhshme, por sa e lodhshme aq dhe shumë e bukur.”,- thotë Lila për “DurrësLajm”.

Krahas kurseve të përditshme që ofron në ambientet e studios, një vëmendje e veçantë Gledis Lila i kushton edhe aktiviteteve të larmishme masive. Një të tillë organizoi vetëm pak ditë më parë në ambientet e Qendrës Kulturore të Fëmijëve, ku vogëlushët e të gjitha grupmoshave shpalosën përpara prindërve dhe të afërmve të gjithë talentin e tyre. 

Përveç vogëlushëve dhe adoleshentëve, Lila ka mjaft aktive edhe kurset e të rriturve.

“Ne ofrojmë kërcim për moshat 3-16 vjeç, ndërsa për të rriturit ofrojmë klasat e zumbës dhe pilates, që janë mjaft të kërkuara në ditët e sotme”.

Në ditët tona, kur gjithnjë e më shumë po vihet theksi tek varësia e ndjeshme, që grupmoshat e vogla dhe të reja kanë krijuar ndaj teknologjisë, Gledis Lila fton prindërit që t’i krijojnë fëmijëve të tyre mundësinë për të qenë sa më aktivë dhe më socialë.

“Ka fëmijë që e ndjekin edhe si pjesë argëtimi, por ka dhe fëmijë që e ndjekin edhe si profesion për ta vazhduar në të ardhmen. Është mirë që fëmija të merret me një aktivitet që të mos rrijë në telefon, mos të rrijë në shtëpi dhe të jetë sa më shumë i angazhuar në jetën sociale, sepse i bën shumë mirë fëmijëve dhe të rriturve gjithashtu”.

Në muajin janar, studio e kërcimit “Gledance’ nis regjistrimet për kurset e reja, kështu që nëse doni të bëheni pjesë e saj kontaktoni në faqen e saj në Instagram.  

M.B.