Në vetëm 4 orë i solli arkës së shtetit shqiptar 12 milionë lekë të reja.

“DurrësLajm” mëson se superjahti Carinzia VII është furnizuar sot në portin e Durrësit me 300 mijë litra karburant, duke i sjellë brenda pak orësh shumën e majme buxhetit të shtetit nga taksa e karburantit.

Mjeti luksoz lundrues, që udhëton me flamurin e shtetit të Austrisë, është prodhuar në vitin 2002 në kantierin e famshëm Lussen.

Superjahti e ka marrë emrin nga një rajon i Austrisë dhe dallohet për dizajnin luksoz. Në bordin e superjahtit udhëtojnë 12 të ftuar dhe 25 anëtarë të ekuipazhit.

Në vitin kur u ndërtua Carinzia VII i përkiste trashëgimtares austriake dhe filantropes Heidi Horten.

Pas vdekjes së saj, në vitin 2022, jahti iu shit një sipërmarrësi nga Argjentina, Ruben Chernajovsky.

Në treg, superjahti ka një vlerë prej 180 milionë euro dhe përllogaritet që çdo vit për këtë jaht shpenzohen rreth 26 milionë euro.