Banorët e lagjes nr.5, në rrugën “Enver Velja”, në Durrës janë përballur mëngjesin e sotëm me një surprizë të pakëndshme. 7 kazanët e plehrave, që shërbenin për grumbullimin e mbeturinave të të gjithë zonës përreth shkollës 9-vjeçaare “Kushtrimi i lirisë” kishin “avulluar”.

Fotot që banorët e zonës dërguan në redaksinë e “DurrësLajm” dëshmojnë largimin e kazanëve në drejtim të paditur, ndërsa mbeturinat janë hedhur sheshit.

Çfarë ndodh kështu?! Si mund të hiqen kazanët brenda natës? Sot i hodhëm mbeturinat përtokë se s’kishim ku t’i çonin”,– shkruan një banor i zonës, që denoncon rastin në redaksinë tonë.

Qytetarët dyshojnë se kazanët mund të jenë vjedhur apo të jenë larguar nga ndonjë biznes aty pranë.

“Kanë 25 vite kazanët në po të njëjtin vend. Si mund t’i heqin kështu në mes të Durrësit, ka shtet apo nuk ka shtet?”,- vijon më tej denoncimi i banorit.

Pirgu me mbeturina është krijuar që në orët e para të kësaj të marte. Me kalimin e orëve, situata mund të rëndohet edhe më shumë, duke krijuar një tjetër vatër të ndotjes ambientale në qytet.