Nga Gëzim KABASHI

Festivali ndërkombëtar i muzikës së dhomës e mbylli edicionin e 21-të të tij me një kocert krejt ndryshe, në një nga resortet e gjirit të Lalzit, në vendin e quajtur Shën Pjetër, të cilin tashmë të gjithë e quajnë “San Pietro”.

Pesë koncertet e tjerë, të organizuar kryesisht në Muzeun Arkeologjik Kombëtar të Durrësit sollën në skenën e improvizuar 56 instrumentistë të tjerë shqiptarë dhe të huaj, përfaqësues të dhjetë vendeve me traditë të hershme muzikore.

Violinistja Nevila Kalaja, drejtore artistike e Festivalit në këtë edicion veçon pjesmarrjen për herë të parë të instrumentistëve nga Zvicra, si dhe dy koncertet me interpretimin e instrumentistëve të tunxhit, pa harruar instrumentet e perkuesionit, mbështetur në ato tradicionale”.

Ajo shton se festivali do ta zgjerojë hartën vit pas viti, duke u emërtuar “Festival Albania”.

Si përherë, muzikë e mirë në një hapësirë  ku antikiteti, mesjeta dhe e sotmja qëndrojnë së bashku dhe u japin ndjesi të mira dëgjuesve që mbushën sallën plot.

Por koncerti i fundit, ai I bregdetit në veri të Durrësit solli edhe një risi tjetër: kuintetin e harqeve “Maris” me fisarmonicistin Pierpaolo Petta në qendër të programit.

Petta, instrumentisti virtuoz arbëresh nga Siçilia ka një energji të pashtershme në komunikimin muzikor dhe njerëzor me publikun.

Koncerti i tij në ditën e fundit të edicionit 21-të të këtij festivali  ishte mbështetur krejtësisht në tangon argjentinase dhe kompozitorin, Astor Piazzolla (1921 – 1992).

Petta ka zgjedhur në fillim të programit, gjashtë pjesë më pak të njohura nga mjeshtri Piazzolla, edhe për të kuptuar shpirtin e tangos argjentinase, e cila fillimisht konsiderohej gati-gati  një herezi.

Me kujdesin e një artisti të mirëfilltë Pierpaolo Petta, i cili ka orkestruar të gjithë pjesët e argjentinasit të shquar, i tregon publikut në gjuhën shqipe: Tango ishte një kërcim i ndaluar nga kisha, deri kur Papa Francesco solli një çift kërcimtarësh nga Argjentina në Vatikan dhe tha se nuk gjej asgjë provokuese apo mëkatare në kërcimin e tangos.

11 vepra, njëra më e bukur se tjetra, ku nuk mund të mungonin “Oblivion” dhe “Libertango”, ndër më të njohurat e Astor Piazzollas, dhe po ashtu tre pjesë homazh, homazh për mjeshtrin, kompozuar nga Pierpaolo Petta, instrumentisti arbëresh që jeton mes Palermos dhe Piana degli Albanesi, ku ka lindur 48 vjet më parë.

“Palermo dhe Piana degli Albanesi janë dy qytetet me të cilat jam lidhur dhe që kanë kushtëzuar së tepërmi punën time –thotë Petta pas koncertit.

Të njejtën gjë bëj me motivet arbëreshe, motivet e së cilës janë gjithashtu në muzikën time.

Origjina ime arbëreshe më bën të jem unik në muzikën e botës. Kush ëshhtë arbëresh e kupton muzikën që del nga zemra ime – shprehet Pierpaolo.

Një koncert për të mos u harruar “Tango” në resortin e gjiut të Lalzit, dhe degjuesit në sallë, vetëm 24 të tillë e shumica të huaj, e konsiderojnë veten me fat.

“Unë marr dhe jap energji me dëgjuesit në çdo concert, dhe mendoj se ata që nuk ishin sot kanë humbur diçka të paharrueshme, pasi çdo mbrëmje është një magji”.

E ngacmoj Pierpaolon për vëllain e tij, Rosarion, kryetar i bashkisë së Piana degli Albanesi. “Unë nuk bëj politikë, luaj muzikë. Por vëllai është më i madh se sa unë në moshë, dhe unë e kam në vend të babait – thotë si të ishte një shqiptar I mirë.

A ka ardhur koha, që koncertet  e tilla edhe te ne të jenë me bileta? e pyes.

“Bileta, qoftë edhe me një kuotë simbolike është shumë e rëndësishme, – përgjigjet instrumentisti kompozitor. Shpesh herë gjërat falas nuk vlerësohen njëlloj. Ti dhurosh gjërat ka efektin e kundërt shpesh here”.

“Duhet ta kisha organizuar më mirë koncertin e fundit – shpreh keqardhjen për mungesën e spektatorit, drejtore Kalaja. Po është një eksperiencë e re”.

A do të vijë mjeshtri Petta përsëri për koncert, këtu ku jemi sot? E pyes.

Me siguri po! Nuk është “Tango e fundit, por e para kjo që luajta sonte! – shprehet entusiazt Pierpaolo.

“Është emocionuese të vish në Shqipëri. Është një gjë që nuk përshkruhet dot.

I  thashë time shoqe sot, që këtë vend edhe kur shoh mallet e fushat e ndjej si vendin tim.

Origjina ka një efekt shumë të fortë edhe pas 500 vjetësh.

Njëlloj dashuria si për Siçilinë edhe për Shqipërinë – e mbyll bisedën Pierpaolo Petta në bregdetin e gjiut të Lalzit.