190 roje bregdetare të çertifikuara për të mbuluar me shërbim të gjithë vijën bregdetare të Durrësit, por shumë prej tyre nuk ndodheshin pranë kullave të vrojtimit mëngjesin e sotëm.

Kullat janë të pajisura me të gjitha informacionet e nevojshme për pushuesit, por rojet mungonin.

Ashtu si edhe një vit më parë, kjo problematikë duket se do të shoqërojë këtë sezon turistik në plazhin e Durrësit.

“Edhe ky është një element tepër i ndjeshëm. Me të drejtë ju pyesni përsa i përket kullave të vrojtimit dhe vrojtuesve të plazhit, që janë një hallkë qendrore përsa i përket sigurisë në plazhe. Janë të certifikuar 190 roje bregdetare, sikundër edhe kullat e vrojtimit.”, u shpreh për mediat koordinatori i Task-Forcës, Oltsen Gripshi.

Aksioni i sotëm i Task Forcës Ndërinstitucionale, të përbërë nga përfaqësues të Policisë së Shtetit, Kufitare dhe Bashkiake, bashkisë Durrës, Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Kapitenerisë ishte përqendruar në kontrollin e të gjitha subjekteve private që ofrojnë shërbim për pushuesit në plazhin e madh.

Nisur dhe nga dy aksidentet tragjike të regjistruara ditë më parë, ku një turist i huaj humbi jetën dhe 2 të tjerë u plagosën rëndë, ndërsa bënin manovra në det me jet ski, në fokusin e punës së Task Forcës do të jenë përgjatë gjithë sezonit 10 vendbazimet e mjeteve lundruese që përdoren për sportet ujore.

“Patjetër që do të kemi kontrolle gjatë gjithë sezonit turistik, që do të thotë deri më 15–20 shtator. Dhe përsa i përket numrit të vendbazimeve të miratuara me vendim të Këshillit Bashkiak, këtë vit janë 10 vendbazime; janë 2 vendbazime të reja: një në Gjirin e Lalzit dhe një në Currila.”, tha Gripshi.

Ndryshe nga një vit më parë, situata duket mjaft e përmirësuar në drejtim të hapësirave publike, të vëna në dispozicion të pushuesve. Fakt ky që konfirmohet edhe nga këta të fundit.

Megjithëse jemi në fillim të sezonit turistik, plazhi i Durrësit është i populluar nga pushues të shumtë vendas, shqiptarë të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe shtetas të huaj.

M.B.