Në kuadër të festës së Kurban Bajramit, në ambientet e IEVP Durrës u organizua rituali i faljes me pjesëmarrjen e të burgosurve, nën kujdesin dhe mbështetjen e drejtorit të burgut Serjan Mazrreku, si dhe me praninë e imamit, i cili përcolli mesazhe paqeje, reflektimi dhe solidariteti.

Pas përfundimit të faljes, nga ana e institucionit u organizuan disa momente simbolike, ku të burgosurit konsumuan ëmbëlsira dhe kafe në frymën e festës.

Organizimi i këtij aktiviteti synon forcimin e klimës pozitive në institucion, respektimin e besimit fetar dhe krijimin e një atmosfere më njerëzore e mbështetëse për të burgosurit, duke ndikuar pozitivisht edhe në aspektin social dhe rehabilitues të tyre.

Atmosfera festive, mes urimeve dhe bashkëbisedimeve të ngrohta, solli momente pozitiviteti dhe afërsie njerëzore, duke përcjellë frymën e solidaritetit dhe harmonisë që simbolizon kjo festë.