Turi kulturor i organizuar nga media online Amfora dhe gazetari Geri Emiri, është zhvilluar paraditen e sotme në disa nga sitet arkeologjike dhe historike më të njohura të qytetit të Durrësit.

Media Amfora thekson se qëllimi i këtij turi kulturor falas është njohja e trashëgimisë kulturore dhe promovimi i saj.

Gazetari Geri Emiri u shpreh se nuk është e mjaftueshme vetëm informimi por duhet edhe angazhimi i qytetarëve mbi trashëgimin kulturore, pasi në këtë mënyrë do të ndërgjegjësohen për rëndësinë e saj.

“Ne shohim që nuk është thjeshtë e mjaftueshme që ti informojmë qytetarët, por edhe ti angazhojmë për ta njohur më tej trashëgiminë kulturore dhe duke e njohur ata ndërgjegjësohen për rëndësinë dhe vlerën e saj.”,- tha Emiri.

Gjithashtu ai tha se me anë të këtij turi po promovohet edhe një platformë që quhet “Raportimi i qytetarëve të angazhuar”, me anë të cilës raportojnë vetë qytetarët.

“Ne gjithashtu promovojmë edhe një platformë që quhet “Raportimin i qytetarëve të angazhuar”, ku ne synojmë që vetë qytetarët të angazhohen, të raportojnë përmes pyetësorve online, të sjellin informacione për trashëgimin kulturore, arkeologjinë”, u shpreh Emiri.

Guida arkeologjike filloi në orën 9:30 në Muzeun Arkeologjik të Durrësit, për t`u njohur me periudhën e prehistorisë, atë arkaike, qytetare Ilire etj, ndërsa u ndal edhe në 6 ndalesa të tjera, të cilat ishin:

1. Periudha Romake. Shek. 2 p.e.s. – 6 e.s. – VIZITË NË AMFITEATRIN ROMAK;
2. Periudha Bizantine. Shek. 7 e.s. – 13 e.s. – VIZITË TEK MURET RRETHUESE TË QYTETIT;
3. Periudha Venedikase Shek. 13 e.s. – 15 e.s. – VIZITË TEK TORRA;
4. Periudha Osmane Shek. 15 e.s. – 19 e.s. – VIZITË TEK MUZEU ETNOGRAFIK;
5. Periudha e Rilindjes Kombëtare Shek. 19 e.s. – 20 e.s. – VIZITË TEK KISHA SHËN LUÇIA
6. Periudha moderne – VIZITË TEK MUZEHLAB.