Kushdo që ka shkelur të paktën një herë në shëtitoren “Taulantia” e njeh ish-skulptorin Jonuz Selimi. 

Ulur në një stol, që duket sikur mezi e mban, me “kokën” në kohën e ish-diktatorit, ai pikturon portete, duke mbajtur brenda vetes dashuri për artin dhe mërzitje për harresën.     

Të bësh art në rrugë është e vështirë, por, ndonëse ka mbi supe 72 vite, Jonuzi na tregon se mosha nuk është problemi i tij. 

“Këtu kam gjetur rezistencë të madhe nga policia“, tregon ai ndër të tjera me sinqeritetin që e karakterizon.

Megjithë “peripecitë” që kalon, që nga ditët me mot të keq e deri tek “ruajtësit” e shëtitores, përse Jonuzi del çdo ditë në Vollga me studion e tij portative? 

Përgjigjja nuk është paraja.   

“Ka raste që fitoj shuma të çuditshme. Kam fituar një Shën Valentin deri në 50 mijë lekë të vjetra. Një herë tjetër as 2 mijë lekë të vjetra s’fitova, kurse këtë Shën Valentin s’fitova kokërr leku“, thotë ai.

Kështu, i detyruar prej pasionit të skicojë anës Vollgës, gjëja e parë që kërkon, tek kushdo që e pyet, është një studio ku të ekspozojë punimet. 

“Unë kërkoj një studio. Sa mirë dalin në televizor e thonë do ndihmojmë artistat. Ka thënë edhe Molieri, ata që kanë para janë kopracë“, tregon ai.

Por pavarësisht zhgënjimeve a pritshmërive që s’ju plotësuan ndër vite, Jonuzi nuk dorëzohet.  

Sa herë dielli perëndon, ai ulet dhe pret.  

Pret “të fundit” artdashës, që të qëndrojnë si modelë për një portret me laps nga dora e tij. 

K.Gj.