Një shkresë e dërguar një javë më parë kryebashkiakes së Durrësit, Emiriana Sako, e cila ende nuk ka marrë përgjigje i ka sjellë sërish këtë të martë para dyerve të bashkisë përfaqësuesit e familjeve, që preken nga projekti TID.

Heshtja institucionale gjatë kësaj periudhe dhe disa ndryshime në projekt që lidhen me prona të institucioneve të kultit i kanë shtyrë banorët, që të kërkojnë transparencë nga institucionet, transparencë që sipas tyre deri më tani ka munguar.

Takimi që realizuan me kryeministrin Edi Rama në bashkinë Durrës më 14 shkurt u duk sikur hapi për më shumë se 80 familje të prekura nga ky projekt një dritë jeshile. Por kur kanë kaluar gati 3 muaj, banorët e qendrës historike të Durrësit janë në terr informativ lidhur me hapat institucionalë që po ndiqen.

Ata vazhdojnë të qëndrojnë fort në kërkesat e tyre, që i kanë artikuluar që në protestën e parë. Banorët kundërshtojnë shembjet e banesave dhe bizneseve si dhe shpronësimet me vlera qesharake, siç i konsiderojnë ata.

Projekti TID Durrës, që pritet të realizohet nga Ministria e Kulturës, Bashkia Durrës dhe AADF planifikon shembjen e banesave dhe bizneseve të rreth 80 familjeve durrsake, që banojnë rreth amfiteatrit dhe në zonën historike.

Ndërkohë mbi këto familje vijon të qëndrojë si shpata e Demokleut, vendimi i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit Durrës, i cili u kërkonte lirimin vullnetar të shtëpive të tyre më datë 16 shkurt.

M.B.