Bukuritë e bregdetit të Durrësit nuk i kanë shpëtuar vëmendjes së një prej mediave më prestigjioze gjermane, RTL.

Dy gazetarë të këtij televizioni kanë qenë disa ditë në Durrës dhe Krujë ku kanë realizuar një reportazh për turizmin, duke e prezantuar Shqipërinë si një destinacion interesant dhe që ja vlen për t’u vizituar.

Sipas gazetarëve gjermanë, Shqipëria ofron shumë për turistët e të gjitha shijeve dhe preferencave. 

Për kreun e Shoqatës së Turizmit në Durrës, Eduart Xhepa, kjo është një reklamë shumë e mirë për qytetin bregdetar dhe vendin tonë.

“Në Durrës ka turistë nga e gjithë bota. Kjo është një gjë shumë e mirë dhe dëshmi që marketingu është bërë goxha mirë nga institucionet shtetërore dhe operatorët privatë. Së fundmi ka qenë një lajm shumë i mirë në televizionin gjerman RTL, që kishte realizuar një kronikë për Durrësin, për sezonin turistik. Ky është një fakt pozitiv, por na ngarkon me një përgjegjësi më shumë, pasi që turistët të rikthehen sërish, ne duhet të respektojmë shumë mirë standartet e shërbimit”,- u shpreh kreu i Shoqatës së Turizmit, Eduart Xhepa, për “DurrësLajm”.

Sipas Xhepës, sektori i turizmit në Durrës ka një ecuri të kënaqshme, por gjëra për t’u përmirësuar mbeten ende, për ta kthyer qytetin në një destinacion për turizmin elitar.

“Duhen stafe më të trajnuar, më të kualifikuar, duhen ambiente që nga ana funksionale të funksionojnë në mënyrë perfekte”.

Përmirësimi i cilësisë së shërbimit lidhet mjaft ngushtë me stafe të përgatitura dhe trajnuara mirë, por për operatorët turistikë sezonalë kjo është thuajse e pamundur. Shqetëzimi është ngritur disa herë edhe nga Shoqata e Turizmit, që propozon zgjidhje konkrete.  

“Përsa i përket strukturave akomoduese që punojnë vetëm gjatë sezonit, ato e kanë shumë të vështirë për të krijuar staf të ri për sezonin, për këtë arsye ato duhet të kenë një numër të caktuar stafi që të trajtohen me subvencionim nga shteti për pagesën e sigurimeve dhe pagën minimale”,- thotë Xhepa.

Vitet e fundit, sezoni turistik në Durrës është zgjatur me 2-3 muaj, duke u shtrirë nga prilli deri në tetor.

Vjet qytetin bregdetar e vizituan mbi 1 milion turistë, ndërsa këtë vit kjo shifër synohet të tejkalohet.

M.B.