Dy fletë votimi më shumë në kutinë 1379/1 në zonën e Arapajt kanë shkaktuar momente tensioni gjatë procesit të numërimit në KZAZ nr. 22, pranë Pallatit të Sportit “Ramazan Njala” në Durrës.
Kandidatja e koalicionit PD-ASHM, Jola Hysaj, ka kërkuar që të ndalet numërimi i kësaj kutie deri në përpilimin e një kërkese zyrtare drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Ndërkohë, përfaqësuesi i PS-së në këtë KZAZ, Idrit Cerloi, është shprehur se procesi duhet të vijojë, duke e cilësuar këtë si një gabim njerëzor. Sipas tij, pajisja elektronike e identifikimit (PEI) mund të mos ketë regjistruar dy votues.
Nga 349 votues të regjistruar në PEI, në kuti rezultojnë 351 fletë votimi.