Rreth orës 16.00 pritet të nisë tërheqja e materialeve zgjedhore nga 7 KZAZ-të e qarkut Durrës nga ana e komisionerëve të qendrave të votimit.
Procesi do të zhvillohet gjatë orëve të pasdites, pasi më herët ka qenë e pamundur për shkak se PD dhe Partia e Lirisë kanë dorëzuar me vonesë pranë KQZ-së emrat e komisionerëve të QV-ve.
Aktualisht të gjitha materialet zgjedhore të bashkisë Durrës ndodhen pranë KZAZ-ve respektive, në pritje të nisjes së procesit të tërheqjes.
Materialet zgjedhore për zgjedhjet e 11 majit nisën të mbërrinin ditën e premte në Durrës, të transportuara me mjetet e Forcave të Armatosura, nën masa të rrepta sigurie dhe me eskortë policore.
Ato u shpërndanë në të gjitha KZAZ-të përkatëse, në kuadër të përgatitjeve për një proces zgjedhor të rregullt dhe transparent.
Në qarkun e Durrësit janë ngritur 7 Komisione Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ), ku do të ruhen materialet deri në ditën e votimit.
Kujtojmë se qarku i Durrësit përfshin gjithsej 377,020 zgjedhës të regjistruar, mes tyre 25,037 emigrantë që gëzojnë të drejtën e votës. Shumica e trupës zgjedhore përqendrohet në qytetin e Durrësit, me 272,888 votues, ndjekur nga Kruja me 66,140 votues dhe Shijaku me 37,992 votues gjithsej.
Qarku Durrës ka 493 qendra votimi, nga të cilat 346 janë në bashkinë Durrës, 54 QV në Shijak dhe 93 QV në bashkinë Krujë.
M.B.