Kthimi i Durrësit në një destinacion thuajse gjithë vjetor ka bërë që shumë qytetarë të ndryshojnë mënyrën e qiradhënies së aprtamenteve të tyre nga qira mujore në ditore. Vitet e fundit është trefishuar numri i apartamenteve që rezervohen me qira ditore në platformat e huaja online.
“Para 3 vitesh, në Durrës, brenda në qytet ka pasur dikur tek 200 apartamente në total, ndërsa pas dy vitesh ne kemi vënë re trefishim të këtij numri. Vetëm në Durrës kemi diku tek 600-800 apartamente që jepen me qira ditore”,– thotë për “DurrësLajm” agjenti imobiliar Sidrit Truma.
Sipas agjentëve imobiliarë, edhe të huajt që blejnë pasuri të paluajtshme në bregdetin durrsak i shohin ato si formë investimi shumëvjeçar.
Në qytetin e mbingopur nga ndërtimet, kërkesa për pasuri të paluajtshme mbetet e lartë, ndërsa oferta është e ulët, pasi ka pak ndërtime të reja. Po ndërsa po flitet për çmime të çmendura në tregun imobiliar në Tiranë, në bregdetin e Durrësit ato kanë rritje të moderuar dhe mund të flitet për një treg me çmime të konsoliduara.
“Krahasimi mes Tiranës dhe bregdetit nuk është i vërtetë si lajm, pasi në bregdetin durrsak ka një stabilizim të çmimeve, të cilat variojnë nga 1300 euro e deri në 1500-1700 euro m2 për apartamentet e vijës së parë.
Për Golemin kemi një unifikim çmimesh, që variojnë nga 1100 në 1300 m2. Qerreti varion nga 1500 deri në 1700 euro m2, ndërsa zona e Plazhit varion nga 1400 deri në 1700 euro m2 në largësi 150 – 200 metra nga bregu i detit, ndërsa apartamentet në vijë të parë me pamje nga deti arrin maksimumi 2500 euro m2.”
Çmimet e reja të referencës që hynë në fuqi rreth 2 muaj më parë, përcaktonin se zona e dytë më e shtrenjtë e bregdetit durrsak është pikërisht Gjiri i Lalzit. E konsideruar si zonë elitare, aty çmimet e metrit katrorë dhe vilave kanë kapur majat.
“Zona e Gjirit të Lalzit konsiderohet zonë elitare. Aty çmimet variojnë nga 3000-4000 euro m2. Çmimi varet gjithnjë nga largësia nga bregu, nga mobilimi etj. Ndërsa vilat në këtë zonë variojnë nga 700.000 euro deri në 2 milionë euro maksimumi”,– thotë Truma.
Zona e Gjirit të Lalëzit ofron infrastrukturë të rregullt, gjelbërim të mbrojtur dhe siguri, gjë që qytetet nuk e ofrojnë dot, ndaj blerësit e shtresës së lartë janë të gatshëm të paguajnë për këtë privatësi, qoftë edhe për disa muaj të vitit.
M.B.





