Nga Pol Milo

“Ju ishit më të mirët në atë që bëtë për kaq shumë kohë,

ndaj as nuk e dini se si është për ne të tjerët.”

Queen’s Gambit

Në kodrën e vilës, deti duket i qetë dhe dielli shkëlqen. Disa rè të bardha në horizont kanë marrë formën e një varke Ilire. Në varkë, një mbretëshë i mban sytë nga bregu.

Sado parashikime të kishin bërë orakujt, askujt nuk do ti kishte vajtur mendja për këto ndodhi aspak të rastësishme në qytetin antik të Dyrrahut apo në qytetin e mbretëreshës Teuta. Ndaj dhe mbretëresha ndihet krenare. Ajo ndihet krenare sesi sporti këtë vit po ecën mrekullisht mirë. Ajo ndihet krenare kur ekipi që mban emrin e saj e përfaqëson atë denjësisht. Ndihet krenare kur shumë trofe fitohen me emrin e saj. Ajo tani ndihet e realizuar.

Në qytetin bregdetar këtë vit eventet sportive shënuan një sukses. Ekipi me emrin e saj u kurorëzua disa herë kampion në disa aktivitete të ndryshme sportive. Fillimisht u kurorëzua kampion në futboll, duke u rikthyer pas 27 vitesh. Por nuk ishte vetëm kaq, ishte vetëm fillimi i një liste të gjatë trofesh. Ekipi i Teutës u shpall kampion në basketboll, në pink pong, not, shah, mundje, tenis, madje dhe në disiplinën e zhvilluar së fundmi që është sporti i Gjuajtjes me Hark. Këtu bëhet fjalë jo vetëm për të rritur por edhe për grupmosha të ndryshme duke filluar nga të vegjlit fare, si djem ashtu edhe vajza.

Por ajo që ishte risi e veçantë këtë vit ishte një Tris. Ishte Trisi i Kampionëve në basketboll. Dalja kampion për të rritur, për të rinj U18 (Under 18) dhe U16, tregoi më së miri funksionimin e zinxhirit sportiv në sportin e basketbollit, në këtë klub. Edhe pse vitet e fundit shumë lojtarë të huaj, ballkanikë dhe amerikanë kanë ardhur të luajnë në ligën shqiptare të basketbollit, kanë qenë ata që i janë përshtatur lojës që kanë gjetur këtu, kanë qenë ata që janë stërvitur dhe zhvilluar teknikisht krahas lojtarëve shqiptarë. Këtë vit ekipi ka nxjerrë dy grupe me të rinj të talentuar të cilët vijojnë të jenë gati për t’iu bashkuar ekipit profesionist në vitet që vijnë, duke dhënë një garanci. Japin një garanci për vijueshmërinë e basketbollit në qytet dhe në Shqipëri, i japin garanci cilësisë së sportit, i japin garanci qytetit, i japin garanci ekipeve ku do të luajnë në të ardhmen, i japin garanci edhe federatës së basketbollit shqiptar për ekipin e ardhshëm kombëtar. Prandaj presidentit të federatës i takon të jetë dyfish më i lumtur këtë vit, kur përkrah bizneseve të tijë i ecën mbarë edhe në federatë.

Këtu tashmë është një festë, një ngjarje, një histori. Askush nuk mund ta përshkruajë më mirë këtë, sesa vetë drejtuesi pasionant i Klubit Shumësportësh, Kreshnik Leka, i cili ka marrë pjesë në shumë olimpiada kombëtare dhe ndërkombëtare, si garues në sportin e peshëngritjes dhe si drejtues i klubit sportiv.

-Ka një rritje masive të cilësisë së sportistëve në qytet! – thotë mjaft i angazhuar Kreshniku – Në sajë të punës së palodhur dhe koordinimit, kemi arritur rezultate të shkëlqyera. Jemi shpallur kampionë në basketboll për meshkuj duke fituar një sezon të vështirë në super ligë. Jemi shpallur kampionë në basketboll për meshkuj për të rinj U18 dhe U16, duke krijuar një tris kupash në këtë sport, duke vijuar të furnizojmë ekipin me lojtarë të rinj profesionistë. Kemi dy pjesëmarrës në olimpiadën ndërkombëtare të Japonisë, Kledi Kadiu për not dhe Emanuela Delilaj në qitje.

Kemi talentin 13 vjeçar Ergit Ramaj, kampion në shah për të rinj. Jemi kampionë në mundje për të rinj dhe nënkampionë për të rritur, vjet ishim kampionë edhe për të rritur. Në peshëngritje jemi nënkampionë, vjet ishim kampionë. Në ping pong për femra jemi kampionë absolutë në të gjitha grupmoshat nga të vogla, të reja dhe të rritura prej tetë vitesh rresht. Në peshëngritje vjet ishim kampionë dhe vazhdojmë të konkurrojmë fort. Në tenis kemi lojtarë të shkëlqyer që kanë dalë disa herë kampionë me disa trofe. Jemi kampionë gjithashtu së fundmi edhe në sportin e gjuajtjes me Hark, për disa grupmosha dhe të rritur.

– Është e çuditshme sesi është rritur pjesëmarrja në sportin e ri të gjuajtjes me Hark! – thotë trajneri dhe harkëtari Elvin Shytaj – Duket sikur ringjallet mbretëresha Teuta,  sa herë që shigjeta godet në shenjë!

Është për tu theksuar rritja e vëmendjes drejt sportit të basketbollit në Durrës. Në vitet e fundit superliga kombëtare është dominuar nga basketbolli durrsak.

Me derbin midis Teutës dhe Akademisë së basketbollit Goga Basket (kampione 2019) qyteti ka parë ndeshje të mrekullueshme, me rivalitet sportiv dhe tifozeri të zjarrtë, duke i dhënë tjetër ritëm, shpresë dhe emocione jo vetëm basketbollit durrsak por atij kombëtar, ndërkombëtar dhe ballkanik.

Mijëra të rinj edhe ndjekës kanë marrë tashmë mesazhin e shpresës dhe pasionit, sesi sporti është manifestim i shpirtit, dhe që  duhet të jetë i pastër dhe konkurues. Midis sportit dhe virtytit, artit dhe kulturës ka një lojë të pastër sportive dhe konkurrencë të brendshme karakteresh;

Ekipi ka punuar shumë, ka vite që përgatitet seriozisht. Ky titull do të pasohet edhe nga tituj të tjerë! Puna serioze dhe plot dashuri e ekipit të të rriturve krijoi modelin dhe entuziazmin e nevojshëm që në mënyrë masive të gjitha moshat ti kthenin sytë dhe ti bashkoheshin basketbollit, duke mbushur humnerën e krijuar në dekadat e fundit.

– Nuk është e rastësishme që ekipet zinxhir fitojnë në këtë mënyrë. Ka një akademi dhe punë tetë apo dhjetë vjeçare. – thonë dy trajnerët, Besi Dervishaj dhe Osvald Turmalaj.

Besi është trajneri i dytë i ekipit profesionist dhe trajner i parë me ekipin kampion të të rinjve U18.

– E fillojmë punën te brezat e vegël, duke i rritur me kujdesin dhe pasionin e duhur – thotë profesor Ferdinand Hila, kampion me ekipin U16.

– Trepikëshat tanë janë si Trisat e mbretëreshës, – thotë kapiteni i ekipit të basketbollit dhe kampioni në fuqi Kristi Gorea – ne do të vijojmë të shënojmë çdo pikë të mundshme, pasi jemi krenarë që mbajmë emrin e saj mbi shpinë.

Po, është e vërtetë që jemi krenarë, pasi ne jemi pjesë e historisë, jemi pjesë e ringjalljes dhe mishërimit të shpirtit të saj sportiv. Ky mishërim do vijohet të përhapet te talentet e rinj si modeli i trisit nga të vegjlit deri te profesionstët e rritur.

Ndërsa kupat e ngritura do simbolizojnë kupën dymijë vjeçare që qëndron e mbushur në dorën e saj. Ajo është e mbushur me dashurinë për sportin.

Retë janë vazhdimisht në lëvizje dhe bashkë me to lëviz edhe anija me mbretëreshën sipër. Ajo ndjen dëshirat dhe pasionin, aty ku toka dhe deti bashkohen.

Ekipi i femrave në basketboll gjithashtu fitoi një kupë dhe arriti të dalë në gjysmëfinale në kampionat, duke krijuar një lojë të bukur falë punës dhe trajnerit Ondis Prifti.

– Ky ekip kishte mbi 30 vite që nuk funksionte dhe jemi detyruar ta riformatonim nga fillimi. Qëllimi ynë është të kemi masivitet sportistësh – shprehet i bindur trajneri Ondis – pasi me punë do vijnë rezultatet dhe trofetë!

Me ekipin e femrave është ende më e vështirë pasi përveç sportit vajzat janë të angazhuara edhe në konkurse mode e bukurie, ku shpesh herë fitojnë titullin e Missit. Na vjen ndërmend shprehja e Sokratit, ku në shoqëritë me moral “sporti e bën njeriun të bukur”!

– Tani kemi një sfidë tjetër! – thotë Ondis – Kemi përgatitjet për të marrë pjesë në ekipin kombëtar. Bashkë me emocionet ndihet edhe fryma konkurruese brenda lojtarëve.

Grumbullimi i kombëtares së basketbollit do të vijojë për të gjitha moshat, si për meshkuj ashtu dhe për femra. Vajzat dhe djemtë tashmë ndihen gati që të përballen me sfidat e reja, që të përfaqësojnë në mënyrë sa më dinjitoze ekipin, qytetin, atdheun, por kryesisht veten e tyre. Ky është një sukses i padiskutueshëm i një qyteti në zhvillim, pasi siç thuhet në shah, lëvizja deçizive është lëvizja e mbretëreshës.

Ngjyrat në perëndim kanë marrë disa forma të së kuqes, ndërsa dielli po zhytet në detin si pasqyrë. Retë e kuqërremta në horizont e kanë kthyer anijen ilire në drejtim të veriu. Mbretëresha rrin e relaksuar, njësoj si pas një udhëtimi të mrekullueshëm, me kokën nga deti. Është e sigurtë se do të rikthehet sërisht.

Pol Milo

Korrik 2021, Dyrrah