Trotuaret e rrugës së Currilave janë thuajse të pakalueshme për personat me aftësi të kufizuara apo nënat me fëmijë të vegjël.

“DurrësLajm” ishte sot në këtë aks së bashku me të riun me aftësi të kufizuara Flamur Bala, njëherazi anëtar i partisë “Shqipëria bëhet” për të demostruar në terren, problematikat e trotuareve në të dy anët e kësaj rruge.

Një kioskë “e mbirë” në trotuar ngjitur me stacionin e urbanit, i pamundëson Flamurit lëvizjen.

“Stacioni është mu në mes të trotuarit. përveçse pengon njerëzit me aftësi të kufizuara apo nënat me fëmijë, pengon dhe qytetarët e tjerë, pasi është shumë e vështirë të kalosh në këtë perimetër kaq të ngushtë. Kabina e stacionit të autobusave duhet hequr urgjentisht”,- thotë Bala.

Por kjo kioskë, nuk është i vetmi problem që konstatohet në të dy trotuaret.

Rampa jashtë standarteve, trotuare të “valëzuara” që ngushtohen dhe zgjerohen disa herë përgjatë gjithë gjatësisë së tyre e karakterizojnë këtë aks, që duhet të ishte një model urban për shkak të rëndësisë që ka kjo zonë turistike.

“Unë e kundërshtoj këtë rehabilitim, jo asfaltimin e rrugës, por mënyrën sesi është zgjedhur për t’u rehabilituar kjo rrugë. nuk janë marrë për trotuaret, të cilat janë të paaksesueshme. Trotuari është i degraduar, diku është i lartë, diku me bordurë, diku pa rampë.”

Prej disa ditësh, në këtë aks ka nisur puna për asfaltimin e rrugës së Currilave. Ndërhyrja në të, problematikat e të cilës “DurrësLajm” i trajtoi pak javë më parë, konsiston në gërryerjen dhe asfaltimin e rrugës me gjatësi 1.1 km. por krahas asfaltimit të aksit, Bala kërkon një projekt konkret për rehabilitimin dhe sistemimin e trotuareve.

“Nuk ka seriozitet në këtë projekt. Mendoj se nuk ka seriozitet në këtë projekt. Mendoj që nuk duhet t’i zhvasim taksat tona, t’i shpërdorojmë dhe të bëjmë punë 3-4 herë në vit, ose për një mandat”.  

Sipas bashkisë, investimi që po realizohet në këtë aks përmirëson ndjeshëm infrastrukturën rrugore dhe krijon më shumë lehtësi në qarkullim për qytetarët e Durrësit dhe vizitorët e shumtë që frekuentojnë zonën bregdetare gjatë gjithë vitit.

M.B.