Sërish turistë me veshje të papërshtatshme shfaqen në hapësirat publike të Durrësit.

Rasti më i fundit është ky i këtij turisti që shihni në foto, foto e cila është shkrepur pranë një supermarketi në lagjen nr.1.

Pak ditë më parë, kur publikuam foton e turistes që shëtiste në qendrën historike me tanga, sollëm rastin e qytetit të Ulqinit, në Malin e Zi, Kuvendi Komunar i të cilit kishte marrë vendim të gjobiste 350 deri në 500 euro turistët që shfaqen me rroba banjo apo pjesërisht të zhveshur në hapësira publike, jashtë vijës bregdetare.

Sot po sjellim rastin e qytezës Varenna, pranë liqenit të Komos, Itali, që ka vendosur të gjobisë 50 deri në 200 euro turistët që shfaqen në dyqanet apo hapësirat publike të zonës me rroba banjo, apo të zhveshur.

Për rastin ka shkruar media e njohur britanike The Indipendent, e cila nënvizon se autoritetet lokale kanë marrë këtë vendim me qëllim që cilësia e jetesës së rezidentëve të mos sakrifikohet në altarin e turizmit masiv.

Pyetja që lind është: Po autoritetet vendore në Durrës kur do të vendosin të hartojnë një rregullore apo të vendosin masa administrative për turistët e zhveshur në hapësirat publike të qytetit???