Qyteti i Durrësit gjatë këtij sezoni turistik është kthyer në një nga destinacionet më të preferuara për vizitorët vendas dhe të huaj.

Edhe pse udhëtimet ishin të kufizuara për shkak të masave të ndërmarra për të parandaluar përhapjen e COVID-19, turistët nuk reshtën së ardhuri në qytetin bregdetar.

Përveçse plazheve të shumta, Durrësi i ofron turistëve edhe një histori gati 3 mijë vjeçare, me një trashëgimi të pasur kulturore.

Këtë sezon turistik, në Durrës ndryshe nga vitet e kaluara një numër i madh vizitorësh kanë ardhur edhe nga Ukraina.

Siç shihet edhe nga pamjet filmike që sjell operatori i “DurrësLajm”, një grup turistësh ukraians kanë zgjidhur për të vizituar ditën e sotme Forumin Bizantin në Durrës, i njohur ndryshe si “Rotondo”, gjithashtu kanë vizituar dhe “Banjat / Termat Romake”.

Të dy këto monumente ndodhen shumë afër njëri-tjetrit, prandaj janë një destinacion i lehtë për t’u vizituar dhe përfaqësojnë një atraksion të veçantë për turizmin kulturor në qytetin e Durrësit, duke qenë se ndodhen pranë qendrës historike të qytetit.

Vitet e fundit po shihet se vizitorët në muze, parqe dhe monumente kulturore janë rritur dhe në këtë mënyrë po rriten dhe të ardhurat e gjeneruara në këtë kategori.