Sabrina, nxënëse e gjimnazit “Naim Frashëri”, mësoi jo pak teknika vetëmbrojtjeje sot, së bashku me bashkëmoshatare të saj, të cilat mund t’i përdorë në të ardhmen nëse do të përballet me akte dhune.

40 gjimnaziste durrsake u bënë pjesë e turneut “E Fortë si Grua” që pati ndalesën e parë në Durrës, qyteti më i prekur nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Ky turne do të ndalet në në 12 qytete të Shqipërisë për t’i mësuar grave dhe vajzave të vetëmbrohen, të thyejnë mitin e dhunës, si dhe për të promovuar rëndësinë e krijimit të një rrjeti të fuqizuar të grave.

“Në nëntor 2019, dy vite më parë ishte pikërisht Durrësi një nga zonat më të prekura, familjet e te cilëve ende vuajne pasojat sot. Pikërisht këtu lançuam fushatën dhe turneun e ESD-ës, ku vajzave dhe grave po u mësojmë strategji dhe teknika për të ditur si të reagojnë në situata mosmarrëveshjeje apo të dhunës ndërpersonale”,– tha Gentiana Susaj, drejtore ekzekutive e ESD Albania.

Gjatë tërmetit dhe pandemisë Covid-19, dy fatkeqësi natyrore që goditën vendin tonë brenda një kohe shumë të shkurtër, shifrat e grave dhe vajzave të dhunuara njohën rritje të frikshme. Nisma “E Fortë si Grua” mbështetet nga UN Women në Shqipëri, përfaqësuesi i së cilës, Michele Ribotta tha për “DurrësLajm” se turneu do t’i mësojë grave të ndihen më të forta.

“Do të shkojmë në shumë qytete të Shqipërisë, që janë prekur nga tërmeti dhe pandemia këto vite. E dimë se prej këtyre fatkeqësive natyrore, gratë kanë vuajtur shumë përsa i përket sigurisë së tyre. Kjo është një iniciativë që ndihmon sidomos vajzat e reja, që të jenë vërtet të sigurta dhe të jetojnë në hapësira të sigurta duke mësuar teknikat e vetëmbrojtjes”,- tha Ribotta.

Ndërkohë, ambasadorja e Suedisë në vendin tonë, Elsa Hastad, duke folur për “DurrësLajm” nënvizoi se vendi i saj e mbështet financiarisht këtë nismë, se është mjaft e rëndësishme forcimi i rolit të gruas në shoqëri dhe barazia gjinore.

“Ne mbështesim fuqizimin e grave, vajzave dhe mbështesim aftësinë e tyre për të qenë të forta. Sot, shoh shumë vajza të reja në Durrës të cilat po ndryshojnë, po ndihen më të forta dhe më të fuqishme për të luftuar për veten e tyre. Suedia mbështet barazinë gjinore. Për të mbështetur barazinë gjinore duhet të punosh në të gjitha nivelet, qeveri, ministri, por sigurisht me vajzat e reja dhe djemtë e rinj. Duhet të ndryshojmë sjelljet e tyre dhe t’i bëjmë vajzat të ndihen më të forta”,- tha ambasadorja Hastad.

Në këtë turne instruktorët e ESD do t’i mësojnë grave dhe vajzave ‘Fuqizim nëpërmjet Vetëmbrojtjes’ (ESD) në mënyrë që të mbrojnë veten, të parandalojnë dhunën dhe të mos ndihen më të pafuqishme. 

M.B.