Një i ri shqiptar, me profesion ndërtues është dënuar me burg pasi u kap duke rritur 120 bimë kanabis në një shtëpi me tarraca në Luginat e Gwent.

Bledi Memaci, 26 vjeç, punonte për një bandë kriminale në një banesë në rrugën Adam të Abertilery. Shtëpia ishte shndërruar në një fabrikë “të sofistikuar” kanabisi e aftë për të prodhuar drogë me vlerë 58,000 £ në rrugë.

Memaci u arrestua më 24 maj gjatë një bastisjeje të policisë në banesën ku kultivohenin bimët narkotike. I riu shqiptar u deklarua fajtor për prodhimin e drogës së klasës B dhe u dënua me 12 muaj burg.

Gjykatësi Hywel James urdhëroi konfiskimin dhe shkatërrimin e kanabisit dhe pajisjeve që shërbenin për rritjen e bimëve. Memaci përballet me deportimin në Shqipëri pasi të lirohet nga burgu.