Gjykata e Durrësit ka lënë në burg pa afat 7 personat e arrestuar me rreth 62 kg kanabis tre ditë më parë në aksin Vorë-Fushë Krujë.

Bëhet fjalë për shtetasit; Korab Cala drejtuesi i grupit, Anton Gjini, Onfred Dedja, Gerald Stema, Klejvis Metalla, Gernard Lala, Alfred Sefa, të cilët sot dolën para Gjykatës së Durrësit për t’u njohur me masat e sigurisë.

Gjykata ka caktuar “arrest me burg” për të shtatë të akuzuarit sipas kërkesës së prokurorit. Në bazë të provave të grumbulluara prokurori i çështjes, Madrid Kullollli kërkoi arrest me burg, masë të cilën e vendosi gjykata për të shtatë.

Të arrestuari u kapën në flagrancë 3 ditë më parë gjatë kohës që po tentonin të transportonin rreth 62 kilogramë kanabis me 3 mjete të ndryshme nga Vora në drejtim të Fushë-Krujës.

Pas marrjes së informacioneve, policia nisi operacionin e koduar “Motoristi”  ku u vu në ndjekje të 3 mjeteve. 

Në dosjen hetimore thuhet se i akuzuari Korab Cala ka kryer aktivitet kriminal kryesisht në gjetjen, grumbullimin dhe me pas shitjen e armëve dhe lëndës narkotike me qëllim përfitimi.

Shtetasi Korab Cala, është me banim në zonë e Ali Demit Tiranë dhe sipas prokurorisë ky shtetas aktualisht disponon armë të ndryshme si pistoleta me mulli dhe automatik model 56.

Gjithashtu disponon edhe një sasi prej 30 kg lëndë narkotike të llojit hashash. Nga ana e grupit hetimor është mësuar se ky shtetas është shprehur se një arme zjarri të llojit pistoletë me mulli kërkon që ta shesë në vlerën e 1200 eurove, një armë zjarri automatike në vlerën e 800 eurove dhe 1 kg hashash në vlerën e 1600 eurove.

Cala ka në ruajtje një banese të një familjari të tij në zonë e Spitallës Durrës dhe në këtë banesë është shprehur se do të sjellë lëndën narkotike dhe armët. Për lëndën narkotike ai është interesuar në qytetin e Durrësit pasi kërkon të gjejë shofer kamioni me qëllim për ta çuar atë në Itali.