Ujëra të zeza që derdhen në sipërfaqe dhe punime të lëna përgjysëm. Rruga hyrëse në pallat është improvizuar nga vetë banorët. Kjo është situata aktuale në atë që njihet si pallati Hoçkja, në lagjen nr.18 në Durrës.
Ndërsa 3 muaj para ndërhyrjes situata ishte si në këto pamje filmike që “DurrësLajm” po transmeton.

Ndërhyrja e realizuar, e cila konsiston në një brez betoni që rrethon pallatin dhe vendosjen e pllakave të reja në sheshpushimet e shkallëve, nuk i ka dhënë zgjidhje shqetësimit kryesor të 30 familjeve që banojnë aty. Banorëve u duhet të bashkëjetojnë me erën e rëndë të ujërave të zeza dhe lagështirën e krijuar brenda banesave të katit të parë.
Ky pallat 5 katësh është nën nivel dhe kërkon një ndërhyrje të specializuar për rehabilitimin e kanalizimeve. Pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, godina rezultonte me dëmtime të shkallës DS3 dhe në të është ndërhyrë dy herë, por familjeve nuk u janë dhënë asnjëherë sqarime teknike, se ku do të konsistonte rikonstruksioni i pallatit.
Në ndryshim nga e gjithë zona përreth, që njihet si Fusha e rërës, ku është bërë një rehabilitim i plotë jo vetëm i godinave kolektive, por edhe hapësirave publike rreth e qark pallateve, në pallatin Hoçkja gjithçka është lënë në mes. I vetmi apel i banorëve është sistemimi i plotë i kanalizimeve.
M.B.