Pikërisht një vit më parë, më 28 shtator 2020, UNICEF Shqipëri nisi fushatën #TëBesoj, me synimin kryesor për të rritur ndërgjegjësimin publik mbi çështjen e abuzimit dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve dhe për të inkurajuar fëmijët, prindërit, profesionistët dhe komunitetin në përgjithësi që ta raportojnë këtë krim. Fushata gjithashtu kishte për qëllim nxitjen e një kulture të raportimit të rasteve të dhunës dhe abuzimit, veçanërisht dhunës seksuale të kryer ndaj fëmijëve.

#TëBesoj ishte një instalacion artistik i rreth 50 siluetave të fëmijëve (djem dhe vajza), ku secila mbarte një histori abuzimi dhe shfrytëzimi të vërtetë seksual të ndodhur ndaj një fëmije në Shqipëri. Pas çdo historie, ishte një fëmijë i vërtetë, një person i vërtetë, që ende vuan pasojat nga abuzimet që u janë shkaktuar. Instalacioni udhëtoi në 11 qytete kryesore të Shqipërisë (Tiranë, Durrës, Berat, Shkodër, Korçë, Lezhë, Elbasan, Pogradec, Fier, Vlorë dhe Gjirokastër) dhe ku me mesazhet e tyre mbështetëse dhe inkurajuese, 9 kryebashkiakë, 3 prefektëve, ambasadorët e Bashkimi Evropian, Suedisë, Spanjës dhe Holandës, Kordinatorja e Përhershme e OKB-së në Shqipëri, u zotuan për mbështetjen e tyre për t’i dhënë fund këtij krimi të tmerrshëm. Fushata arriti në më shumë se 1 milion njerëz gjatë 200 ditëve të udhëtimit. Si rezultat, të paktën 20 organizata kombëtare dhe lokale të mediave u bënë partnerë shoqërues, të fushatës #TeBesoj.

Gjatë këtij aktiviteti, ku UNICEF ka bërë përmbylljen e fushatës #TëBesoj, është diskutuar mbi planin e ardhshëm të veprimeve konkrete që të gjithë aktorët përgjegjës në vend, duhet të ndërmarrin për të rritur përpjekjet kundër dhunës seksuale ndaj fëmijëve.

Zv/Ministri e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Z. Albert Nikolla, dhe Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Znj. Emiriana Sako të ftuar në këtë aktivitet, përcollën mesazhet e tyre për vijimin dhe përforcimin e #TëBesoj #Unicefprotects#ENDViolence përpjekjeve që të gjithë duhet të ndërmarrin ndaj këtij krimi të shëmtuar. Shefja e Departamentit të Drejtësisë dhe Çështjeve të Sigurisë në Bashkimin Evropian në Shqipëri Znj. Lenka Vitkova, Zv. Ambasadori i Italisë në Shqipëri Z. Alberto Petrangeli dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe vendore morën pjesë dhe gjithashtu ofruan mendimet e tyre.

Shfrytëzimi seksual i fëmijëve është një krim me përmasa globale. Lufta ndaj këtij krimi kërkon reagim të kordinuar të institucioneve të ndryshme, si edhe të organeve ligj zbatuese, përfaqësuesve të shoqërisë civile si dhe të gjithë shoqërisë. Ështe detyrë e të gjithëve ne të parandalojmë dhe të dënojmë pa asnjë hezitim çdo akt dhune që cënon mirë rritjen dhe integritetin e fëmijëve”, ishin fjalët përshëndetëse të Kryetares së Bashkisë Durrës, Znj.Sako.

Në fjalën e tij Zv. Ministri Nikolla tha: “Doja të falenderoja UNICEF pasi ne së bashku jemi ne fazën e ngritjes së dy qendrave të reja të emergjencës, një në Fier dhe një në Shkodër, përsa i përket luftës kundër abuzimit dhe dhunës ndaj fëmijëve si dhe jemi në gatishmëri për të vijuar me programin e mbrojtjes së tyre online”.

“UNICEF është i përkushtuar të vijojë mbështetjen ndaj institucioneve të mbrojtjes së fëmijëve, për të identifikuar dhe reaguar ndaj abuzimit seksual të fëmijëve”, tha Dr. Roberto De Berndardi, Përfaqësues i UNICEF -it në Shqipëri në fjalën e tij përmbyllëse. “Ashtu siç e përmendi dhe zoti Nikolla, ne jemi krenarë që me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale do të sjellim në Shqipëri 2 qendra me një ndalesë, një shërbim unik dhe i specializuar, një model i reagimit emergjent, në 2 spitale të Shqipërisë, të Fierit dhe Shkodrës. Po ashtu, do të kemi në prioritetet tona mbrojtjen online, si dhe mbështetjen e punonjësve të mbrojtjes së fëmijëve me afësim dhe dije të vazhdueshme” vijoi më tej ai.