Kjo është anija me flamur rus “Slavinka”, e ngarkuar me grurë, e cila ka mbërritur në portin e Durrësit, mëngjesin e së dielës më 27 shkurt. Anija është nisur nga Rusia dy javë më parë, kur ende nuk kishte nisur pushtimi i Ukrainës nga ana e rusëve.

DurrësLajm” ka siguruar pamjet e anijes, në proces shkarkimi në port. Në bordin e anijes ndodheshin 3030 tonë grurë rifuxho, të cilat janë në proces shkarkimi mësohet nga burimet zyrtare të portit të Durrësit. Kjo do të jetë ndoshta ngarkesa e fundit nga ky vend, pasi importuesit pohuan se kanalet tregtare të Rusisë dhe Ukrainës janë të bllokuara që kur lufta nisi.

Anija “Slavianka” që lundron në flamurin Rus, solli në Shqipëri një sasi gruri e cila është sa 1 për qind e importit të vitit të kaluar.

Sipas INSTAT, vitin e kaluar nga Rusia erdhi 46 për qind e totalit të drithërave të importuar, ndërsa 4 për qind erdhën nga Ukraina. Te dy vendet në konflikt janë lojtarë të rëndësishëm global në eksportin e drithërave.

Lufta do të ketë ndikim në prodhimin e ardhshëm, pasi gruri është në fazat e para të rritjes dhe korrjet e reja janë në korrik.

Sipas importuesve kryesorë të grurit në Shqipëri, vendi nuk do të mbetet pa furnizime, por çmimi i importeve të reja do të jetë më i lartë. Importuesit janë në fazë intensive të ndryshimit të burimeve të furnizimit.

Sipas asaj çka raportoi agjencia “Reuters”,  Rusia dhe Ukraina përbëjnë rreth 29% të eksporteve globale të grurit, 19% të furnizimeve botërore të misrit dhe 80% të eksporteve botërore të vajit të lulediellit.

Sakaq, kërkesa e tregtarëve për të blerë grurin Rus ka qenë thuajse zero pas datës 24 shkurt. Pas forcimit të sanksioneve çmimi i grurit në bursa u rrit me 6.4%.