Nga BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh

Ditët e fundit të prillit shpalosen shpejt dhe optimizmi ka nisur të shtohet. Ngrohja e motit, shoqërohet me ngrohjen e shpirtit, duke rritur shpresat për ecuri, për punë të mira dhe të mbara. Vazhdoj të punoj pa ndjerë lodhje, për atë që jam në gjëndje të ndihmoj. Me punën time modeste, të rrisë marshet e shpejtësisë shpirtërore, për të shkruar ç’ka i takon dhe i shërben kulturës dhe qytetarisë durrsake. Po e bëj aq sa mundem dhe do ta vazhdoj ta bëj përsëri aq sa mundem.

Në një nga këto ditë të fund prillit, përtej zërit të telefonit më përcillet një përshëndetje dhe një kërkesë:
-Jam Fatos Faslliu. Ndodhem në Durrës. Nesër largohem për në Milano. Akomodimi im është në “Nais Hotel”. Dëshiroj të kalojmë një drekë së bashku dhe nëse mundesh takohemi tek “Mediterrani”.
Në çast nuk hezitova dhe i thashë: po, do të vi!
Duket e pabesueshme që ka 20 vite që Fatos Faslliu, sa herë që mundet të ndodhet në Durrës, çfaq dëshirën për të pirë një gotë verë. Është një gotë verë miqësie, që bëhet akoma më magjike kur ndahet ndërmjet durrsakësh. Në të gjitha rastet, pamundësia ishte prezente. Si drejtues i Fondacionit Ibrahim Kodra, Fatosi kishte ardhë në Atdhe për dy qëllime:
së pari për të ndjekur një konkunkurs ndërmjet shkollave të mesme artistike të Tiranës, për të merituar çmimin “Ibrahim Kodra”.

Së dyti për të hapur një ekspozitë me autorë të njohur italianë “Un quadro per l’Albania” në Galerinë e Arteve Figurative “Nikolet Vasia” në Durrës.
Që të dyja këto veprimtari, në kuadrin e 104 vjetorit të lindjes së piktorit më të madh shqiptar në të gjitha kohrat Ibrahim Kodra.

Kur u ndodha tek “Mediterrani”, i dhashë të drejtë Fatosit që e kishte zgjedhur këtë vënd. Rrugica të hershme dhe tradicionale durrsake, lokali i vendosur pranë mureve historike rrethuese të Durrësit, më nxorrën mall. Plus tjetër është se, pronar i këtij “Mediterrani” është miku ynë i vjetër Hysen Tafa me të birin Edin. Një gotë verë dhe shumë mall. Një gotë verë dhe shumë miqësi. Një gotë verë, teksa provokoi biseda të këndëshme, ku parakalonin galeri pafund personazhesh. Por qendra e bisedave ishte piktori i madh shqiptar Ibrahim Kodra, por edhe Durrësi ynë me ecurinë dhe problematikat e tij.

-Sa mirë bëre Fatos që e ngacmove takimin tonë! Sa kënaqësi që erdha sot këndej nga “Mediterrani” i Cen Tafës, që nuk gaboj ta quaj edhe “Mediterrani ynë” Kjo gotë verë këtu dhe kjo kafe atje tek ballkoni, më bëjnë të fluturoj nga kënaqësia. Po, po më kishte marrë malli të ndodhesha kështu!

Fatosi, njeri me kulturë, një durrsak me gjak të paprishur u akomodua tek miku i jonë Betim Myshketa dhe e shoqja e tij zemërmadhe Lika Bezhani tek “NAIS HOTEL”. Vaktet e tjera i kalonte tek “Mediterrani” i Cen Tafës. E kisha takuar më parë këtë Fatos Faslliu, kur isha drejtor i teatrit “A. Moisiu”. Kishte ardhë për të sjellë piktura të shumta të Ibrahim Kodrës dhe të autorëve të tjerë italianë. I intereson shumë këtij fisniku dhe qytetari të bindur të Durrësit, hapja e një muzeu me piktorë italianë dhe të jetë pjesë e inventarit të kulturës durrsake. Kishte lënë edhe një takim me kryetaren e Bashkisë Emirjeta Sako, e cila ishte interesuar të bëhej kjo gjë.

Do të shënonte një suksese të ndjeshëm kulturor.
Nuk e dija se Fatosi, ishte djali i avokatit të njohur Bastri Faslliu. Ky së bashku me Miço Gramatikoin dhe Muharrem Rruginë, janë ndër avokatët e parë të Durrësit. Më befason ky Fatos Faslliu kur më thotë, që atje në Milano ku banon prej afro tre dekadash, drejton një rreth basketbolli. Natyrisht amator. Por çifti Luljeta dhe Fatos Faslliu e lidhin një miqësi shumvjeçare, me piktorin nga më të mëdhenjtë e historisë së pikturës shqiptare Ibrahim Kodra. Veçanërisht në finalen e jetës, ato i shërbyen atij ditë e natë, duke i qendruar tek koka, derisa mbylli sytë në moshën 88 vjeçare.

Ibrahim Kodra, i lindur në vitin 1918 në Likmetaj të Ishmit, me një nënë që nuk arriti ta fiksoj pasi u largua nga jeta kur ai ishte 3 vjeç, me një fëmijëri plot vuajtje falë cilësive të rralla për pikturë, arriti të marrë një bursë kur ishte Zogu në pushtet dhe studioi më parë në Akademinë e Arteve Figurative në Romë dhe më pas në Brera, që është një Galeri Kombëtare e Artit të lashtë dhe modern të Milanos. Biseda me Fatos Faslliun ishte, ndërmjet dy durrsakësh të përkushtuar ndaj Durrësit dhe në esencë mbetej angazhimi i mëtejshëm në fushat tona.
Kisha interes të dëgjoja të flitej për Ibrahim Kodrën, jo vetëm nga njohësi i imtësishëm i jetës, por edhe i një ndjekësi të rrugës së tij krijuese. Nga Fatosi mësova se mjeshtri Kodra, fama e të cilit ishte ndërkombëtarizuar tashmë, kishte miqësi me shkrimtarin e fashëm amerikan Ernest Heminguej, me shkrimtarin francez Pol Elyar me të cilët bashkëpunoi.

Themeluesi i kubizmit, apo shtytësi më i madh i tij, piktori spanjoll Pablo Pikaso ka dy deklarime të famshme në adresë të shqiptarit me nënshtetësi italiane Ibrahim Kodra:
1.”Ti mbetesh kubisti i fundit”
2.”Edhe firma e jote është art”.

Pa dashur të kalojmë në analizë të biografisë së Kodrës, mund të shprehemi për të se kishte miq të rrallë, të njohurit e krijimtarisë të artit dhe kulturës italiane si Karlo Bo, Dino Buzati, Dario Fo, Karlo Manzoni, Euxhenio Montale etj. që ndhmuan në krijimin e Akademisë së Arteve Figurative të Brerës. Jo më pak shoqëri kishte edhe me dy shkrimtarë të tjerë të përmëndur si Alberto Moravia dhe Salvadore Kuazimodo. Nën frymëzimin dhe drejtimin e profesorit të tij, nga piktorët më përfaqësues futuristë italianë Karlo Karra, i madhi ynë Ibrahim Kodra u mbështet në punën e tij në rrymat e abstraksionizmit, artit informal, surrealizmit dhe kubizmit.

Fatos Faslliu, i lutet Zotit ta mbaj në jetë aq sa të mund të plotësoj dy qëllime parësore. Të arrij të hap muzeunin e tretë në Durrës, pas asaj të Milanos Itali dhe Lozanës në Zvicër kushtuar jetës dhe veprimtarisë së jashtëzakonshme të Ibrahim Kodrës, duke ekspozuar piktura, veshje, relike si kitara, mandolina, sazet, foto dhe letërkëmbime të shumta me personalitete botërore. Krahas kësaj të zbatoj një premtim të marrë, që në Durrës gjithashtu të hapet edhe një ekspozitë permanente “ Un quadro per l’Albania” (“Një pikturë për Shqipërinë”).

Shqetësimi tjetër i madh i tij, është të spostohet varri i Ibrahim Kodrës nga Ishmi, në Durrës dhe Tiranë. Fatosi tregon gjithashtu se Kodra, la amanet që banesa e përjetësisë së tij të ndodhet në Durrës ose në Tiranë.
-Varri i Ibrahim Kodrës në Ishëm ka vetminë që e rrethon, por edhe mungesën e dëshirës së mjeshtrit për t’u vendosur këtu. Ai nuk pranoi së gjalli ta vizitonte Ishmin. Keqtrajtuar nga njerka e tij dhe në moshën 8-të vjeçare, ishte larguar përfundimisht nga Ishmi për të mos dëgjuar të kthehej më aty.

Kohqëndrimi me Fatos Faslliun u mbyll emocionalisht, ku na ofroi për të pirë një kafe turke, pronari i Mediterran-it Cen Tafa. Me humor dhe kënaqësi shpirtërore që në ofrojnë miqtë tanë, ndahemi për t’u riparë sa më shpejt. Fatosi do të realizonte takimin e punës me kryetaren e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako, për muzeun Kodra dhe ekspozitën me autorë italianë dhe unë do të vazhdoja me planet e mia krijuese.

Durrës: 28 prill 2022