Tetë ditë përpara zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, në KQZ janë pranuar rreth 132 mijë vota nga emigrantët shqiptarë, të cilat përfaqësojnë 53.5% të totalit të zarfeve të dërguara. Në total, KQZ-ja ka shpërndarë afërsisht 246 mijë zarfe për qytetarët e regjistruar për të votuar nga jashtë vendit.
Të dhënat zyrtare tregojnë se qarku i Durrësit kryeson për nga përqindja e kthimit të votave, me një nivel pjesëmarrjeje prej 64.7%, duke u renditur mbi Tiranën (60.7%) dhe Dibrën (59.3%).
Durrësi, si një nga qendrat me diasporën më të madhe, konfirmon pozicionin e tij si qytet kyç në hartën elektorale edhe në aspektin e votës së emigrantëve.
Në krahun tjetër, pjesëmarrja më e ulët vërehet në qarqet e jugut, ku Gjirokastra mbyll renditjen me vetëm 38.8%, e ndjekur nga Korça me 44.6% dhe Vlora me 45.1%.