Aktualisht nga 4 KZAZ-të e qytetit të Durrësit po numërohet vetëm në KZAZ-në nr.24, tek shkolla “Jan Kukuzeli”. Në këtë KZAZ ka nisur procesi i numërimit të votës preferenciale mëngjesin e sotëm dhe pritet të vijojë përgjatë gjithë ditës.

Dy KZAZ-të e tjera nr. 23 dhe nr.25 pritet të rinisë procesi i numërimit për votën preferenciale pas mesditës.

E vetmja KZAZ që e ka përfunduar tashmë procesin, edhe atë të votës preferenciale, është ajo me nr.22, që ndodhet tek Pallati i Sportit.

E gjithë vëmendja është përqendruar tashmë tek vota preferenciale, nga e cila pritet të dalin deputetët e ardhshëm, nga lista e hapur e subjekteve politike.

Me 8 mandatet e saj, PS dërgon në Kuvend 3 kandidatë nga lista e hapur, ndërsa në PD-ASHM gara është vetëm për 1 ulëse në Parlament.

Referuar rezultatit të dalë nga 252 kuti nga 493 në total gara për deputetin më të votuar në rang qarku për të dyja partitë e mëdha nuk vihen re ndryshime.

Renditjen në listën e PS vijon ta kryesojë kandidati Arkend Balla, ndërsa në listën e PD-ASHM ish-prokurori Arjan Ndoja renditet i pari.

Vlen të theksohet se që nga nisja e procesit të numërimit të votës preferenciale në rang qarku, Balla dhe Ndoja nuk e kanë lënë për asnjë moment vendin e parë.

Gara më interesante po bëhet për vendin e dytë dhe të tretë, po ndërsa PS do të cojë në Kuvend dhe dy deputetë të tjerë përveç Ballës, PD mbetet vetëm tek vendi i parë.

Ndërsa në orët e para të numërimit të votës preferenciale diferenca mes kandidatit Ani Dyrmishi dhe Ilir Ndraxhi përmbysej disa herë, tashmë Dyrmishi ka krijuar një diferencë të madhe me të, diferencë që pritet të vijojë deri në fund. Në vend të katërt renditet kandidati Gentian Hila.

Aktualisht, në vend të dytë të votës preferenciale të koalicionit opozitar renditet Aulon Kalaja, në vend të tretë ish-drejtori i policisë Emri Vata dhe në vend të katërt deputetja Andia Ulliri.

Një fakt tjetër që bie në sy tek leximi i votës preferenciale është se kandidatet femra kanë shumë më pak vota sesa rivalët e tyre meshkuj.

Në listën e PD – ASHM Andia Ulliri ka mbledhur 2535 vota, ndërsa Ndoja që kryeson listën ka 4835 vota. Pas Ullirit renditen 2 kandidatë të tjerë meshkuj dhe vetëm në vend të shtatë renditet një tjetër grua, mjekja neurologe Edlira Harizi.

Në listën e PS situata duket edhe më keq për kandidatet femra, sepse kandidatja Etleva Budini renditet e pesta dhe ka mbledhur deri më tani 1706 vota, shumë më pak sesa kolegët e saj meshkuj.

Menjëherë pas saj renditet Dorina Laçi me 1693 vota.

Të qënit kandidate femër e angazhuar në politikë duket ende një mision i vështirë, në një terren ku meshkujt vijon të dominojnë votën preferenciale.

M.B.