Është zhvilluar sot në Apelin e Juridiksionit të Përgjithshëm, seanca ndaj Arbër Paplekaj, i akuzuar për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në pak ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit në 2021. Sipas ekspertëve të pavarur që kanë rindërtuar skenën e krimit, konflikti me armë nisi nga pozicioni i Pjerin Xhuvanit. 

“Viktima Pjerin Xhuvani erdhi në vendngjarje i shoqëruar me persona të tjerë. Arbër Paplekaj u tërhoq, identifikoi qitës. Grupet u shtynë me njëri-tjetrin, aty ishte dhe policia! Në trupin e viktimës faktor plotësues që mund të jetë kontaminuar nga një qitës pranë tij”- mësohet se ka thënë eksperti.  

Sipas ekspertëve, referuar analizimit të pamjeve video të ngjarjes, viktima Pjerin Xhuvani mbërrin në vendngjarje i shoqëruar nga disa persona. 

“Konflikti i armatosur fillon nga pozicioni ku është viktima. Reagimi i të pandehurit që tërhiqet besojmë se ka identifikuar qitësa”, thanë ekspertët. 

Duke analizuar në sinkron edhe gëzhojat e gjetura në vendngjarje, ekspertët thanë se Pjerin Xhuvani ka pasur në krah një qitës, jo më larg se 1-2 metra. 

“Në trupin e viktimës faktor plotësues që mund të jetë kontaminuar nga një qitës pranë tij”, thuhej në konkluzionet e ekspertëve. 

Apeli ka mbyllur shqyrtimin gjyqësor dhe i ka dhënë kohë për konkluzionet përfundimtare palëve, avokatëve dhe prokurorit duke caktuar seancën e radhës, që të mbahet në orën 10:30 të datës 24 maj.