Pasditen e së shtunës është paralajmëruar mbajtja e një marshim para bashkisë Durrës, në shenjë sensibilizimi për vrasjen monstruoze të 8-vjeçarit në Fier nga fqinji i tij.

Në një njoftim të shpërndarë në rrjetet sociale bëhet me dije se marshimi do të filloj në orën 16:00 në sheshin “Liria”.

“Marshojmë për Mateon. Me një qiri apo tullumbac me vete për t`ja dërguar mateos atje ku është, për t`i thënë që ikja e tij është një plagë e madhe e shoqërisë tonë.”,- thuhet në njoftim.

Ndërkohë ditën e sotme qytetarët kanë zhvilluar një marshim paqësor në Tiranë, në sheshin “Skëndërbej”, ku e pranishme ka qenë edhe kryeparlamentarja Lindita Nikolla.

Kujtojmë që familjarët e Mateos kanë iniciuar një peticion për mbledhjen e firmave për të vendosur ekzekutimin e vrasësit të 8-vjeçarit, Klodian Çalamanit.