Kina ka ekzekutuar Zhong Changchun, burrin që shtatorin e kaluar sulmoi me thikë një djalë 10-vjeçar japonez në Shenzhen.
Viktima ishte nxënës në një shkollë japoneze dhe sulmi tronditi opinionin publik në të dy vendet, duke ngjallur frikë për rritje të ndjenjave ksenofobike dhe duke ndezur tensione diplomatike.
Ambasada japoneze në Kinë konfirmoi për BBC se është informuar nga autoritetet kineze mbi ekzekutimin e Zhong, i cili u dënua me vdekje në janar. Në një deklaratë, ambasada theksoi se vrasja e një fëmije të pafajshëm është “krim i pafalshëm” dhe kërkoi nga autoritetet kineze që të rrisin masat e sigurisë për qytetarët japonezë që jetojnë në Kinë.
Rasti u zhvillua në një kontekst të ndjeshëm politik dhe historik – sulmi ndodhi më 18 shtator, datë simbolike që përkujton incidentin që çoi në pushtimin japonez të Mançurisë në vitet ’30. Kjo ka rizgjuar plagët e vjetra mes dy vendeve, me Kinën që shpesh ka akuzuar Japoninë për mungesë pendese dhe shtrembërim të historisë së saj koloniale.
Sulmi ndaj djalit japonez nuk ishte incidenti i vetëm. Kohët e fundit, në Kinë janë regjistruar disa akte të dhunës ndaj të huajve, përfshirë një sulm ndaj mësuesve amerikanë në Jilin dhe një tjetër rast në Suzhou, ku u godit një nënë japoneze dhe djali i saj.
Ky valë incidentesh po vihet në qendër të diskutimeve për rritjen e nacionalizmit në rrjetet sociale kineze, ku retorika anti-të huaj është përhapur gjithnjë e më shumë. Ekspertët paralajmërojnë se këto tendenca mund të ndikojnë në marrëdhëniet diplomatike dhe në perceptimin ndërkombëtar të sigurisë në Kinë.
Kina nuk ka përmendur publikisht në vendimin e gjykatës kombësinë e viktimës apo motivet ksenofobike, por ekzekutimi i autorit tregon një reagim të fortë ndaj presionit publik dhe diplomatik, duke lënë hapur diskutimin mbi sigurinë e të huajve në territorin kinez dhe rolin e retorikës nacionaliste në veprime të dhunshme.