Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka mbërritur në Durrës për të monitoruar nga afër procesin zgjedhor të ditës së sotme.

Nga Qendra e Votimit nr. 1494, Gonzato u shpreh për mediat se ecuria e këtyre zgjedhjeve kanë një rëndësi shumë të madhe në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Nuk donim të shihnim zgjedhjet vetëm në kryeqytet. Do të donim të shihnim si po ecën procesi zgjedhor dhe në vende të tjera të Shqipërisë. Kam dhe kolegë të mi nga shtetet anëtare të BE-së që kanë dalë për të vëzhguar. Arsyeja përse e bëjmë këtë, nuk është s’e kemi besim te OSBE/ODIHR, sepse ata po bëjnë një punë shumë të mirë, por që dhe ne të kemi përvojën tonë. Të shohim çfarë mendimesh kanë qytetarët, kjo për arsye sepse janë zgjedhjet e para pas çeljes së negociatave mes BE-së dhe Shqipërisë”, tha ndër të tjera ambasadori.