Një zjarr i madh përfshiu zonën e Çizmelisë në njësinë administrative Gjepalaj të Shijakut mbrëmjen e kaluar, duke shkaktuar panik te banorët dhe përplasje në politikë. Flakët u neutralizuan pas ndërhyrjes së zjarrfikësve nga Shijaku dhe Durrësi, forcave të emergjencës civile dhe banorëve vullnetarë që punuan pa ndërprerje gjatë gjithë natës.
I pari që reagoi ishte ish-kryeministri Sali Berisha, i cili e cilësoi zjarrin si një “akt mafioz” nga Bashkia Shijak. Sipas tij, mbeturinat urbane janë djegur qëllimisht në natyrë, në fshatin Hardhishtë, duke përhapur helme të rrezikshme dhe duke kërcënuar jetën e banorëve.
“Dënoj me forcë këtë akt mafioz të bashkisë, me të cilin kërcënohet haptas shëndeti dhe jeta e banorëve të Hardhishtës”, shkroi Berisha në rrjetet sociale.
Por nuk vonoi shumë dhe erdhi reagimi zyrtar nga kryetari i bashkisë, Elton Arbana, i cili mohoi kategorikisht përfshirjen e institucionit që drejton. Ai tha se zjarri është vënë qëllimisht nga persona dashakeqë dhe nuk ka lidhje me grumbullimin apo djegien e mbetjeve nga bashkia.
“Në fshatin Çizmeli disa dashakeqës i kanë vënë flakën zonës përreth. Falënderoj zjarrfikësit dhe vullnetarët që punuan gjatë gjithë natës. Policia duhet të identifikojë autorët. Këta nuk meritojnë të jenë shijakas, as të merren me politikë”, shkruan Arbana.
Ngjarja ka rikthyer në vëmendje problematikën e menaxhimit të mbetjeve dhe përgjegjësinë institucionale, ndërsa hetimet për shkaqet e zjarrit vijojnë.