Higjiena e duarve mori një rëndësi të posaçme sidomos gjatë pandemisë Covid-19, kur dezinfektaktët ishin pjesë e pandarë e rutinës sonë të përditshme.

Përqendrimi i mikrobeve në duart tona është një fakt i njohur, por jo gjithnjë ne kemi mundësi t’i lajmë apo dezinfektojmë ato.

Gjithsesi kjo mund të zgjasë edhe për pak kohë, pasi për dezinfektimin e rregullt të duarve ka menduar një 12-vjeçar nga Durrësi, Noel Beqiraj.

Nxënësi i klasës së VI, në shkollën “Ibrahim Kodra” ka vetëm pak ditë që ka marrë patentën për shpikjen e tij “model përdorimi-smart hand clean”, që i bashkangjitet një telefoni celular.

“Konkretisht ky është një dezinfektant, por jo çfarëdolloj dezinfektanti. Ai vihet në fundin e telefonit dhe përmes një gypi nxjerr dezinfektantin”,- tregon 12-vjeçari.

Noeli tregon se ishte pandemia Covid-19 që e shtyu të ideonte këtë shpikje, por dezinfektanti në celular mund të jetë shumë i vlefshëm dhe për pandemi të tjera.

“Kjo nuk është vetëm për pandeminë Covid-19. Kjo do të ndihmojë edhe në shumë pandemi të tjera. Gjithsesi Covid-i ende s’ka përfunduar e s’mund të themi që s’ka më viruse. Qarkullojnë ende viruse që mund të jenë edhe më të rrezikshme se Covid-i., të cilat pa higjienën e duarve mund të na sëmurin ne, por edhe të tjerë rreth e qark nesh.”,- thotë nxënësi i klasës së gjashtë.

Tani për tani realizimi industrial i shpikjes së tij nuk është i mundur në Shqipëri. Por kjo nuk e ndal Noelin.

“Do të mendoj çfarë do të bëj, kë të pyes, kush mund të jetë ai person që do të më ndihmojë. Nëse do të kuptoj se ky produkt pëlqehet nga publiku dhe ata do të preferojnë ta blejnë, unë do të vazhdoj”,- thotë ai.

Një vit nga aplikimi, autenticiteti i shpikjes dhe patenta figurojnë tashmë në Regjistrin e Pronësisë Intelektuale, me nr.11. Kjo është “fitorja” e parë e Noelit, të tjerat do ta pasojnë së shpejti.  

M.B.