3 kupa, për 3 kampionë. Tenistët durrsakë Arlis Muka, Aleks Prifti dhe Anjel Hoxha janë nderuar me titullin “Tenisti më i mirë i vitit 2022” nga Federata e këtij sporti. Emocionet për ta kanë qenë të shumta, megjithëse nuk kjo nuk është kupa e parë që marrin.

“Ishte mënyra më e mirë për të mbyllur vitin, besoj se ihste edhe shpërblimi më i mirë i një pune shumë të madhe dhe të pandalshme nga ana ime dhe trajnerit tim Maksi Prifti”,- thotë Arlis Muka për “DurrësLajm”.

“2022 ishte një vit shumë i mbarë për mua me shumë fitore, vende të para dhe gjithashtu shumë kupa”,– tregon tenisti Aleks Prifti.

Më bën të ndihem shumë mirë sepse jam ndër lojtaret më të mira të Shqipërisë. Është një gjë me të cilën krenohem”,– na tregon Anjel Hoxha, më e vogla e grupit dhe e vetmja vajzë fituese.

Suksesi i 3 tenistëve të talentuar nuk mund të kuptohet pa angazhimin dhe përkushtimin e Maks Priftit, i cili është shpallur “Trajneri më i mirë”.

Viti 2022 nuk kishte sesi të përmbyllej më bukur për ekipin e “Tenis plus”.

“Sporti i tenisit është i vështirë dhe mbi të gjitha kërkon këmbëngulje dhe vazhdueshmëri në stërvitje. Suksesi i arritjeve është vetëm puna me pasion dhe asgjë tjetër”,– deklaron trajneri Prifti.

Viti i ri sapo ka hyrë, por tenistët durrsakë i kanë objektivat e qarta. Në stërvitjen e përditshme, ata nxjerrin në pah gjithë grintën që i karakterizon, ndërsa kanë nisur të mendojnë për kompeticionet e radhës.

“Nga 2023 shpresoj që të fitoj më shumë kampionate në Shqipëri dhe jashtë vendit”,– thotë 12-vjeçarja Anjel Hoxha.

“Shpresoj që edhe 2023 të mbyllet po kështu ose dhe më mirë se kaq”,- na rrëfen Aleks Prifti.

“Shpresoj që kalendari im i kampionateve të shkojë sipas programimit me turnetë kombëtarë dhe evropianë. Gjithashtu shpresoj që ky vit le të mbyllet njësoj si viti i kaluar”,– thotë Arlis Muka.

Trajneri Maks Prifti beson shumë në potencialin e 3 talenteve, prandaj së shpejti do të dëgjojmë për suksesin e tyre të radhës.

“Ekipi jonë ka talente që shpresojnë shumë për të ardhmen. Ata kanë nisur të qëndrojnë në majat e tenisit shqiptar dhe po regjistrojnë suksese të dukshme në turnetë evropianë.

M.B.