Gjatë ditëve të fundit, Bashkia e Durrësit ka nisur punën për sistemimin e hapësirës së rezervuar për plazhin publik në shëtitoren “Taulantia”. Rreth 300 metra kub rërë janë hedhur deri tani në këtë segment të shëtitores, ndërsa pritet që edhe 100 metra kub të tjerë të depozitohen deri ditën e diel.
Punonjësit dhe mjetet e Ndërmarrjes së Shërbimit Komunal dhe Ndërmarrjes Rruga janë angazhuar në pastrimin e zonës, duke larguar leshterikët e grumbulluar gjatë dimrit dhe pranverës. Paralelisht, po punohet për sistemimin dhe shtrimin e rërës së re.
Burime nga Ndërmarrja e Shërbimit Komunal konfirmuan për DurrësLajm se rëra është marrë nga dunat e krijuara në plazhin e sektorit “Rinia”.
Ndërhyrja është pasqyruar edhe në rrjetet sociale të Bashkisë së Durrësit, ku kryebashkiakja Emiriana Sako ka shpërndarë një video nga terreni, ku duken mjetet e rënda të angazhuara në punimet e pastrimit dhe shtrimit të rërës.
“Vijojmë nga puna për sistemimin e plazheve publike. Ndërhymë në shëtitoren “Taulantia”
në lagjen 1, për të dhënë shërbim për të gjithë banorët e zonës si dhe pushuesit e shumtë.”- shkruan Sako.