Prej disa ditësh tashmë, në zonat bregdetare të Durrësit janë në funksion të plotë pesë qendra shëndetësore verore, të cilat ofrojnë shërbim mjekësor 24 orë në 7 ditë të javës.

Në zonën e Plazhit të Madh, Shkëmbit të Kavajës, Currilave, Hamallajt dhe Gjirit të Lalzit funksionojnë qendrat shëndetësore verore, të cilat do të qëndojnë të hapura deri më 30 shtator. Ato janë të pajisura me të gjithë stafin e nevojshëm shëndetësor, për t’u ofruar pushuesve, turistëve, por edhe banorëve të zonës shërbimin sa më të shpejtë dhe efikas për të gjitha komplikacionet që mund t’i shfaqen gjatë ditëve të qëndrimit në vijën bregdetare të Durrësit.

Vitin e kaluar në qendrat shëndetësore verore kanë marrë shërbim rreth 16 mijë pushues, nga të cilët 1/3 kanë qenë shtetas të huaj.

Drejtoresha e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, Aurora Hyka, siguron se falë edhe bashkëpunimit të ngushtë me Urgjencën Kombëtare dhe Spitalin Rajonal Durrës qendrat shëndetësore verore do të ofrojnë shërbimin më të mirë të mundshëm për fluksin e madh të vizitorëve vendas dhe të huaj.

Në zonat turistike është vendosur tashmë në hapësira të caktuara informacioni i nevojshëm për çdo qendër shëndetësore, adresa e saj, numri i kontaktit etj, për t’u mundësuar pushuesve akses të shpejtë me shërbimet mjekësore më afër vendndodhjes së tyre.

M.B.