Shtatë dëshmitarë, shtetas holandezë, janë thirrur në Gjykatën e Krimeve të rënda ditën e sotme, për atentatin e ndodhur në vitin 2015, në Bulevardin “Zogu I” në kryeqytet. Të arrestuar për ngjarjen e rëndë, ku mbetën të vrarë 3 persona, janë Klevis dhe Markeljan Doçi, dhe Salvatore Letizia.

Në seancë ishte e pranishme edhe nëna e dy vëllezërve të vrarë Sulku, e cila tha se është shumë e vështirë të shohë vrasësit e djemve të saj. Ajo ka bërë apel që “drejtësia të mos korruptohet, por të dënojë autorët”.

Sakaq, në seancën e sotme, u lexuan deklarimet e të arrestuarit Klevis Doçi.

Kemi qenë rastësisht në bulevard kur u dëgjuan të shtënat. Vëllai, Markeliani goditi vrasësit me makinë. I vetmi veprim që bëra, ishte se iu afrova xhaxhait. Ai ishte ende gjallë në atë moment, vdekjen e tij e mora vësh me vonë. E mësova në gjykatë kur mora masën e sigurisë”, ka thënë ai në dëshminë e tij.

Dëshmitarët holandezë do të dëgjohen nga trupi gjykues për vrasjen e Durim Sulkut në Holandë.