Një aksident tragjik ka ndodhur mëngjesin e sotëm në rrugën Siena-Bettolle në zonën Casetta, afërsi të komunës Castelnuovo Berardenga.

Një makinë ku po udhëtonin 3 shtetas kosovarë ka dalë nga rruga duke u aksidentuar rëndë. Dy prej shqiptarëve të Kosovës të moshës 21 e 22 vjeç kanë ndërruar jetë, ndërsa kosovari i tretë është plagosur e në rrezik për jetën.

Makina është përplasur me ndarësen e rrugës duke e kapërcyer atë dhe është rrokullisur me një shpejtësi mjaft të lartë për dhjetëra metra.

Tre të rinjtë kosovarë janë me profesionin punëtorë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 6:00 të mëngjesit teksa po shkonin në punë.

Policia italiane po heton për të kuptuar shkaqet e këtij aksidenti.