Edhe pse është e ndaluar çdo lloj ndërhyrje në parqet arkeologjike të mbrojtura nga UNESCO, punëtorë ndërtimi po kryejnë punime, madje duke shtruar edhe beton, në qytetin antik të Butrintit.

Punimet po bëhen në akropolin e qytetit pranë Kullës veneciane, ndërtesa me e lartë në Butrint. Punëtorët janë munduar ta mbulonin duke vendosur disa barriera jeshile megjithëse kurioziteti i turisteve shuhej nga vrimat e rrjetës rrethuese.

Punëtorët janë kapur duke bërë beton me disa pajisje të vjetra dhe dukej si një kantier ndërtimi. Kjo ndërtesë ka qenë godinë e vjetër që përdorej nga ekspeditat si vend për të grumbulluar materialet e gërmimeve të ndryshme dhe është e mbështetur tek një trakt muri prehistorik që daton në shekullin 7-8 para Krishtit. Në ketë kantier nuk ka tabele për punimet, madje edhe punëtorët nuk dinë se për kë punojnë. 

Balkan Web raporton, se në këtë zonë do të ngrihet një lokal me pronar nga Tirana. Burime jo zyrtare bëjnë me dije se po planifikohet edhe një lokal mbi shkallet e amfiteatrit antik të Butrintit duke e çuar ne 2 numrin e lokaleve që do të ndërtohen në qytetin antik të Butrintit.