Zbardhen detaje nga ngjarja e rëndë qe ndodhi mbrëmjen e djeshme në Tiranë, ku 4 persona u plagosën me armë zjarri në ambientet e një lokali.

Dy vëllezër, tashmë të shpallur në kërkim, dyshohet të jenë autorët e sulmit, që fatmirësisht nuk pati viktima. Dyshohet se motiv ka qenë një konflikt i ndodhur 24 orë para ngjarjes mes dy vëllezërve dhe pronarit të lokalit ku ndodhi ngjarja.

Sipas burimeve, objektivi ka qenë pronari, por nga të shtënat janë plagosur edhe 3 klientë që nuk kishin lidhje me përplasjen e mëparshme mes protagonistëve.

Të plagosur kanë mbetur shtetasit Eljon Leka, 31 vjeç, pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja, dhe klientët Avni Biberi, 46 vjeç, Bujarin Mrisha, 39 vjeç, e Bledar Gusturami, 33 vjeç. Policia tha se të katër të plagosurit janë dërguar me ambulancë në Spitalin e Traumës dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

“Lufta” në lokalin e familjes Leka, tek ish-kombinati “Josif Pashko”, në Laprakë, dyshohet se ka ndodhur pas një konflikti që Eljon Leka ka pasur me vëllezërit Seferi. Ky konflikt ka ndodhur një ditë më parë, në lokalin e dy vëllezërve, që ndodhet pranë gjimnazit “Aleks Buda”, po në Laprakë.

Policia po punon për kapjen e dy autorëve të dyshuar të ngjarjes, vëllezërit Arben e Astrit Seferi, 35 e 32 vjeç.

Dy vëllezërit janë fiksuar që largohen me shpejtësi nga vendngjarja, me një automjet tip “Mercedes”, me ngjyrë gri.