Pas ngjarjeve të ditëve të fundit në Elbasan, Drejtuesi i Prokurorisë për Krime të Rënda, Besim Hajdarmataj, ka thirrur në një analizë hetues dhe krerë policie që të merren me veprimet e deritanishme si dhe për të diskutuar mbi masat e tjera të nevojshme për parandalimin e këtyre akteve.
Kujtojmë se ngjarja e pak ditëve më parë në lagjen ‘Syrja Dylgjeri’ në Elbasan, ku mjeti i policisë u godit nga një mjet i blinduar tip ‘Audi’ shkaktoi mjaft debate dhe akuza ndaj policisë.
Makina e blinduar është në pronësi të biznesmenit Petrit Çela dhe policia e ka shpallur në kërkim, ndërsa në lidhje me ngjarjen janë arrestuar 3 persona. Petrit Çela, me anë të avokatit të tij ka kallëzuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda 6 efektivë, ndër ta dhe Gjergj Oshafin, Nëndrejtorin e Policisë.





