Në një dalje jo të zakonshme, Partia Demokratike përmes sekretarit të përgjithshëm Arben Ristani ka denoncuar dhunimin e kreut të kësaj partie në Pajovë të Peqinit. Ky është rasti i dytë radhazi, pas ngjarjes në Korçë. "Dal në këtë orë të vonë për të komunikuar me ju për ngjarje të rëndë që ka ndodhur sot në Pajovë të Peqinit, rreth orës 18:00, brenda në një lokal, ku kryetari i degës së PD, Diell Çela, është rrahur barbarisht nga deputeti i PDIU, Aqif Rakipi dhe vëllai i tij," – tha Ristani.

Partia Demokratike e denoncon ashpër këtë ngjarje, si një sulm të pastër politik ndaj përfaqësuesit të tyre. "Ngjarja vjen në kuadrin e një kriminaliteti në rritje brenda mazhorancës qeverisëse, dhe pason goditjen me armë dy ditë më parë në Ersekë të anëtarit të PD nga kryetari i PS atje. Dhuna barbare e ushtruar ndaj kryetarit demokrat të Peqinit nga deputeti i mazhorancës është shprehje e inkriminimit dhe lehtësisë më të cilin banditët e veshur me pushtet, godasin e rrahin qytetarët dhe përfaqësuesit e opozitës," – ka theksuar sekretari i pergjithshem i PD.

Partia Demokratike i kërkon prokurorisë procedim të shpejtë dhe hetim serioz e të plotë të ngjarjes. Ristani tha se Partia Demokratike ka njoftuar dhe ka informuar ambadasat dhe partnerët ndërkombëtarë për këtë rast skandaloz dhune. "Ne duam të sigurojmë çdo qytetar, se Partia Demokratike dhe njerëzit e saj as nuk frikësohen e as nuk ndalen në betejën për të pastruar politikën dhe shoqërinë nga krimi. Do të jemi në krye të kësaj beteje çdo ditë, dhe do ta fitojmë këtë betejë bashkë me qytetarët," – ka bere te ditur Ristani.