Ashtu siç kishte paralajmëruar, Partia Demokratike bëri kallëzim penal në Prokurori sot për drejtuesit e Policisë së Tiranës, IKMT, INUV, Inspektoriatin e Mjedisit dhe firmën "Grand" për ndërtimin e paligjshëm tek Parku i Liqenit të Tiranës. Institucionet në fjalë kanë manifestuar dhunë e arbitraritet në çdo rast ndaj qytetarëve të vendit, edhe për vendosjen e një dritareje apo rregullim çatie, ndërsa kur është fjala për ndërtimin e paligjshëm të Erion Veliajt ato nuk kanë vepruar. Kallëzimin penal, e depozitoi sot në Prokurorinë e Tiranës, sekretari për aksionin qytetar Ervin Salianji.
"Sapo dorëzuam një kallëzim të ri në Prokurorinë e Tiranës për shpërdorim detyre, për ndërtim të paligjshëm, për prerjen e drurëve dekorativë dhe frutorë dhe për mosmarrjen e masave për të ndëprerë gjendjen e paligjshme, për pengimin e së drejtës për t'u shprehur, grumbulluar apo manifestuar. Janë kallëzuar penalisht Policia e Shtetit … Dallëndyshe Bici, drejtoreshë e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, e cila, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit për një ndërtim të paligjshëm në mes të Tiranës, në mes të të vetmit park që ka qyteti i Tiranës, nuk marrin masa dhe lejojnë veprimtarinë e paligjshme, në një kohë që njerëzit futen kudo në burg pse lyejnë një fasadë. Po ashtu, kemi kallëzuar drejtorin e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Vendor të Tiranës, Skerdi Drenova, kryeinspektorin e Agjensisë së Mjedisit dhe shoqërinë ndërtimore për ndërtimet e paligjshme që kryhen në këtë zonë të Tiranës. I bëjmë thirrje edhe njëherë Prokurorisë së Tiranës që të marrë masa që shteti i së drejtës të funksionojë e që ligji të jetë siç e parashikon Kushtetura, dhe jo fjala e kryeministrit të jetë më e rëndësishme se sa ligji në republikën tone,” – u shpreh për mediat Salianji.





