Në një prononcim për mediat, pas mbledhjes së grupit parlamentar, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka theksuar vendosmërinë për t’i shkuar deri në fund betejës për dekriminalizimin e parlamentit. "Qëndrimi i Grupit Parlamentar është i qartë dhe i prerë: plotësimi i zgjidhjes që ne kemi ofruar, i dhënies fund të këtij provokimi te tmerrshëm ndaj shqiptarëve. Pra, largimit me ligj të deputetëve që plagosin dhe vrasin shqiptarë nga seancat e parlamentit deri në marrjen e vendimit të prerë. Është një kusht që nuk ka shqiptar, demokrat apo socialist, të mos e kuptojë dhe të mos ta pranojë për të shmangur bllokimin e Parlamentit, – tha Basha. – I vetmi që nuk e pranon këtë zgjidhje është ai që solli Armando Prengën, ai që solli Arben Ndokën. Gojëfëlliquri i cili shikon veten e tij jo si kryetar të socialistëve, por si kryetar të banditëve dhe ka të drejtë ta shikojë veten të tillë sepse është më i izoluar se kurrë. Partia Demokratike i ka të qarta qëndrimet e saj. Ne i kemi dhënë rrugëdaljen, zgjidhjen. Kështu që presim që Edi Rama të reflektojë. Në të kundërt vendimet që kemi marrë do t’i çojmë deri në fund."