Kreu i opozitës Lulzim Basha ka komentuar debatin për zgjedhjet e kreut të PS, duke hedhur akuza të rënda drejtuar kryeministrit Edi Rama. Kryetari i Partisë Demokratike e ka cilësuar kreun e qeverisë si një satrap oriental, që e ka çuar PS në ditët e saj më të errëta. "Satrapi oriental është modeli jo i zhvillimit por i frenimit të zhvillimit, jo i lirisë por i kontrollit me çdo kusht, është modeli i rrugës të cilën Shqipëria nuk duhet ta marrë dhe nuk do ta marrë, është tjetërsimi i vlerave dhe identitetit tonë si evropianë dhe evropianëdashës," – tha Basha.
Lideri opozitës tha se Rama i trembet zgjedhjeve në partinë që ai drejton dhe vendimi për të mos i bërë ato, tregon se PS është e destinuar të zhduket nga jeta politike. "Socialistët në vend që të zgjedhin mes një piktori e një inxhinieri e mjeku duhet të zgjedhin mes trafikantit të drogës dhe tutorit të prostitucionit. Edi Ramës i duhet të shpërfytyrojë PS, pasi zgjedhja e lirë e tremb, pasi zgjedhja e lirë është llogari dhe llogarinë e ka keq e më keq brenda PS dhe me qytetarët. Edi Rama prishi zgjedhjen e lirë, investoi para krimi e korrupsioni në fushatën e zgjedhjeve lokale të 21 qershorit. Është modeli i frenimit të zhvillimit, modeli i tjetërsimit të vlerave e identitetit tonë si evropian e evropiandashës. I urojmë forcës së kundërshtarëve tanë në këto ditë të errëta politike, në këtë përballje që ka nisur si një parti dhe është kthyer si një kazermë e kryetarit. Partitë që mbysin votën e lirë e që asgjësojnë vullnetin e lirë të anëtarëve janë të destinuara të zhduken nga harta e historisë politike," – tha Basha.
Kryetari i PD i bërë këto komente gjatë pjesëmarrjes në Konventën e Forumit Rinor të PD.





