27 maj 2015 – Premtimi i një jave më parë i Vangjush Dakos se kush investon mbi 1 milion euro në bujqësi, do ta ketë zero taksën vendore për tre vjet, nuk futet në llojin e premtimeve të kandidates së djathtë për Durrësin, Grida Dumën. Sipas demokrates, punësimi për fermerët do niset nga gjëra të thjeshta dhe jo investime kaq të mëdha, pasi këtu nuk i ka njeri 1 milion euro.

“Punësimin do e nisim nga gjëra të thjeshta dhe të bëshme. Jo nga premtime si nga ato që dëgjova para pak ditësh se kush fermer investon 1 milion euro do ketë lehtësira në taksa. Lehtësirat nuk do të ndodhin këtu, se këtu nuk i ka njeri 1 milion euro, dhe mua nuk më rezulton.

Do të hapim mundësi që produkti bujqësor i juaji të shitet. Që t’ia vlejë të merresh me bujqësi sepse kush merret sot me bujqësi bën vetësakrifikim. Do bëjmë fondin e garancisë për prodhimin bujqësor dhe nga 20-30 % Bashkia do të marrë pjesë në financimin e projekteve bujqësore. Tre tregje të mëdha grumbullimi dhe një pikë frigoriferike për produktet tuaja”, tha Duma. 

Këto deklarata, Grida Duma i bëri gjatë një bashkëbisedimi me fermerët e Rrushkullit dhe Perlatit në Sukth, ku ndau me ta planin afatgjatë për zhvillimin e bujqësisë me mbështetjen direkt nga bashkia.

/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/