11 maj 2015 – Kandidatja për bashkinë e Durrësit, Grida Duma gjatë një bashkëbisedimi me fermerët në Hamallaj mbi mënyrën e manaxhimit të bujqësisë nga bashkia e re, u shpreh se do të harmonizojë bashkimin e komunave me qytetin, duke i dhënë rëndësi agroturizmit.
“Agroturizmi do të bashkojë bujqësinë me turizmin, zonat rurale me qytetin. Bashkia e re do të ketë një nënkryetar përgjegjës për pjesën rurale dhe bujqësinë në Durrës”, tha Duma.
Zhvillimi i qëndrueshëm i qytetit dhe hapja e vendeve të punës, sipas saj nuk mund të kuptohet pa bujqësinë. Duma premtoi se bashkia do të ndihmojë fermerët në hapjen e fermave të përshtatshme për tregun e më pas do të zbatohet një model të integrojë bujqësinë me ekonominë e qytetit duke inkurajuar serat, vreshtat e pemtarinë si dhe në ndërtimin e pikave të grumbullimit.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





