9 maj 2015 – Kandidatja e PD-së për Durrësin, Grida Duma, në një takim që zhvilloi me të rinjtë tek Amfiteatri i qytetit, ndau me ta shpresën dhe modelin për t’i dhënë frymëmarrje qytetit të dytë më të madh në vend.
E pyetur nga të rinjtë në lidhje me problematikat e shumta që ata hasin në fushën e punësimit, Duma tha se Durrësi do të kthehet në model, dhe se ka shumë mënyra që do të iniciojnë punësimin e tyre. Sipas saj, në punë nuk do të hyjë më njeri me mik, por vetëm ai që është i aftë.
“Ju duhet të jeni të parët që duhet të kuptoni se kemi shumë për të bërë përpara. Do ta kthejmë Durrësin në një model. Jo gjithmonë është çështje parash. Është gjithmonë çështje kulture dhe mendësie. Ka shumë mënyra që do të iniciojnë punësimin e të rinjve. Besoj tek taksat e ulëta.
Do heqim konceptin që në institucionet publike, kush njeh ndonjërin do futet në punë. Do të bëhet vetëm një koncept. Kush njeh ndonjërin që është i aftë, të vijë me Grida Dumën. Ka shumë gjëra që bashkë do t’i rregullojmë duke i menaxhuar më mirë por këtu do të ketë të paktën 3 ose 4 projekte të vërteta zhvillimi ku do të punojnë të rinjtë profesionalë dhe ajo që do të gjeni tek unë, nuk do të jetë më një avantazhim i 3 bizneseve, por do të jetë një lulëzim i konkurrencës së bizneseve të cilët do të jenë gjithmonë e më tepër të prirur të marrin ata që konkurrojnë më mirë. Të shkojmë drejt modelit që prodhon diçka për vendin dhe jo që i merr vetëm krahun e punës. Ju nuk jeni krahu i punës, por ju jeni krijimi i krahut të punës. Kështu duhet ta konsideroni veten”, tha demokratja Duma.
/S.L. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





