NGA KADRI TARELLI

Mbrëmja e të shtunës, më: 18, vjeshta e parë, 2021, në shëtitoren “Taulantia”, të qytetit bregdetar të Durrësit, erdhi me flamujt e shumtë, me kostumet kombëtare plot ngjyra dhe zërat gazmor të fëmijëve nga të gjitha trevat shqiptare, mbledhur për të festuar së bashku të 24-in Festival ndërkombëtar, “Luajmë dhe vallëzojmë”. Festa, si përherë, u organizua nga QKF e Durrësit, si nismëtare dhe vazhduese e traditës çerek shekullore. Morën pjesë këto grupe: Durrësi, Tirana, Shqipet e Drenicës, Minatori i Ri Kishnicë, Kud Kriva Reka (grup serb nga Kosova), Lushnja, Kurbini, Gramshi, Vlora, Albanopolis.

Drejtori Avni Çuni, si nikoqir mikpritës, uroi mirëseardhejn e artistëve të vegjël, për të festuar së bashku në përcjellje të kulturës dhe traditës popullore kombëtare. Në fjalën e tij ai shprehu kënaqësi, nderim e mirënjohje, sepse kjo ditë festive nuk u ndërpre asnjë vit, me të gjitha kufizimet dhe vështirësitë që solli pandemia, madje po vazhdojmë edhe sot, duke mirëkuptuar masat që ka ndërmarrë qeveria jonë dhe ato ndërkombëtare. Ai uroi suksese dhe vazhdimësi veprimtarie edhe në vite të tjerë, ku të ketë më shumë grupe përfaqësuese nga vendi e Ballkani dhe më shumë pjesëmarrës.

Unë, në rolin e gazetarit i kam ndjekur gati të gjitha takimet festive, që kur ishte drejtor Naim Kërçuku, më pas Gladiola Busulla dhe tani me drejtor Avni Çunin. Disa nga shkrimet e mia janë pasqyruar në shtypin e kohës, ndaj po e rivendos në kryetitull: “Durrësi kryeqendër e fëmijëve të Ballkanit, sipas shkrimit të bërë këtu e disa vjet më parë: DURRËSI, 18 VJET KRYEQENDËR E FËMIJËVE TË BALLKANIT. Publikuar: Fjala e lire, Londër, 31. 10. 2015, Gazeta Dielli. SHBA. 31. 10. 2015. ”Zemra shqiptare”, Zvicër, 07. 11. 2015. Revista “Mësuesi”. Nr. 9. Nëntor 2015. Madje dua të shtoj, se Durrësi ynë, dy herë në vit është kryeqendër e fëmijëve të Ballkanit, së pari: Në çdo shtator me “Fest-lojën”, (sot, “Luajmë e vallëzojmë”), së dyti, me Festën e Matematikës (olimpiada), në çdo muaji Maj të pranverës..

Nga përvoja shumë vjeçare, si drejtues shkolle dhe gazetar, kam të drejtë të shpreh një mendim që më ngroh dhe më ftoh shpirtërisht.

Së pari, fëmijët me çiltërsinë dhe pafajësinë e tyre, përcjellin mesazhe paqeje, njohje, pajtimi dhe bashkimi mes njëri tjetrit. Ata janë ambasadorët më të mirë të mirëkuptimit dhe pranimit të lidhjes mes shqiptarëve dhe, pa paragjykime edhe mes popujve të Ballkanit, si një mësim i mirë për politikanët grindavecë. Duhet të jesh në shesh të festës, të shohësh, të ndjesh e të besosh, si qeshin, si bisedojnë, si bëjnë fotografi, si kërcejnë e vallëzojnë edhe me spektatorët, të përfshirë në grupe të vogla, nën ritmin e muzikës.

Së dyti: trishtohem kur shikoj këtë racë të bukur shqiptare, që rritet e lulëzon për Shqipëri, por që fatkeqësisht e padrejtësisht, pret të derdhet nëpër vende të tjera të botës. Dhimbja gëlltit pyetjen : Pse? Pse? Pse? Deri kur politikanët nuk do të dëgjojnë e mësojnë, nga zëri dhe dëshira e fëmijëve të kombit të tyre?

Festa kaloi bukur, shpesh vallet e ndezën skenën, duke merituar edhe duartrokitjet e qytetareve që kishin mbushur sheshin, duke shijuar artin popullor, nëpërmjet lojës së fëmijëve, pse jo edhe të këngëtares së vogël durrsake Dalina
Beshiri.

Në të gjitha takimet, thuhet se juria e pati të vështirë të vendosë. I jap të drejtë, sepse edhe unë që e ndoqa nga fillimi në fund të gjithë koncertin, nuk veçova dot, cili është grupi më i mirë. Të gjithë ishin fitues, të ndryshëm, por të magjishëm në interpretim. Megjithatë në mbyllje juria vendosi:

Kupa e festivalit. AKV. “Minatori i RI Kishnica”.
Vendi i parë. Shqipet e Drenicës
Vendi dytë. QKF Kurbin.
Vendi dytë. QKF Lushnjë.
Vendi tretë. QKF Vlorë
Vendi i tretë. Kud Kriva Reka
Vendi i tretë. QKF. Gramsh.

Janë fëmijët ata që kanë shumë mbresa nga kjo festë e magjishme, të cilat do t’i shoqërojnë gjatë gjithë jetës, ndërsa unë dua të përshëndes organizatorët, drejtorin e QKF, Avni Çuni dhe mjeshtrin koreograf Arjan Plaku.

Urime dhe suksese të gjithë fëmijëve pjesëmarrës, që na dhuruan çaste gëzimi.

Urime grupeve përfaqësuese, me drejtuesit e tyre artistik, që kultivojnë art dhe kulturë qytetarie e atdhetarie.