Në dy godinat e UAMD-së ende nuk është hapur një qendër vaksinimi për studentët dhe pedagogët. Megjithëse ministrja Manastirliu bëri të ditur se pranë çdo universiteti të vendit do të kryhet ky proces, nga vëzhgimi që “DurrësLajm” bëri paraditen e sotme një gjë e tillë nuk rezulton.

UAMD po frekuentohet këto ditë nga studentë të shumtë që regjistrohen apo u nënshtrohen provimeve të vjeshtës, por skepticizmi për vaksinën anti Covid është shumë prezent, pavarësisht apelit të kryeministrit Rama apo ministres së shëndetësisë për vaksinim të detyrueshëm.

“Jam vaksinuar,- pranon një student, –por e bëra sepse nuk na pranonin në provime”.

Po pres të më kontaktojë mjeku i familjes”,- thotë një student tjetër, ndërsa deklaron se vaksinën do ta bëjë vetëm nëse do të jetë me detyrim.

Ndërkohë, një pedagog që e ka kaluar Covid-19 pranon se nuk është vaksinuar ende, por do ta shohë si opsion në të ardhmen.

Kur na ndajnë rreth 3 javë nga nisja e vitit akademik, periudhë kur të gjithë studentët dhe pedagogët duhet të jenë vaksinuar, një anëtare e stafit akademik sugjeron që procesi të mbetet në dëshirën e gjithësecilit, e të mos jetë me detyrim.

Unë vetë jam e vaksinuar, sugjeroj çdokënd të vaksinohet, është një metodë parandalimi, por nuk obligoj dot askënd”,- shprehet ajo.

11 tetori shënon nisjen e vitit akademik, ndërkohë që muajt gusht dhe shtator kanë qenë të hapur për këdo që donte të vaksinohej, duke nisur nga mosha +18. Tre javë më parë, kryeministri Rama deklaroi se të gjithë studentët duhet të vaksinohen në rast se duan të hyjnë në auditore.

M.B.